Kryeparlamentari Gashi, uron komunitetin rom për 8 Prillin

Me rastin e 8 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka dërguar një mesazh urimi për pjesëtarët e komunitetit rom, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite si moment reflektimi dhe vlerësimi.

Në urimin e tij, Gashi thekson se kjo ditë përfaqëson një mundësi për të nderuar kulturën e pasur dhe identitetin e veçantë të komunitetit rom, të ndërtuar ndër shekuj. Ai e cilëson gjithashtu si një thirrje të vazhdueshme për forcimin e angazhimit të përbashkët në drejtim të barazisë, përfshirjes dhe respektimit të plotë të të drejtave të njeriut.

Sipas tij, komuniteti rom përbën një pjesë të rëndësishme të mozaikut shoqëror dhe kulturor të vendit.

Gashi nënvizon përgjegjësinë e institucioneve për të krijuar politika dhe mekanizma që sigurojnë mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët, duke përfshirë arsim cilësor, përfshirje ekonomike dhe një jetë dinjitoze pa dallim.

Ai apelon që kjo ditë të shërbejë si shtysë për thellimin e bashkëpunimit, forcimin e mirëkuptimit dhe avancimin e vlerave të respektit dhe barazisë në shoqëri.