Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka marrë pjesë në ceremoninë tradicionale “Lutjet e Mëngjesit” (National Prayer Breakfast) në Uashington, një ngjarje që bashkon liderë politikë, fetarë dhe shoqërorë nga mbarë bota.
Sipas njoftimit të tij, Gashi e cilësoi pjesëmarrjen si një “nder dhe privilegj”, duke theksuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje për promovimin e dialogut dhe vlerave universale në udhëheqje.
“Është nder dhe privilegj të marr pjesë në Lutjet e Mëngjesit në Uashington, një ngjarje domethënëse që gërsheton politikën, besimin, vlerat dhe përgjegjësinë globale”, tha Gashi.
Ai shtoi se ceremonia, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dëshmoi rëndësinë e dialogut dhe respektit të ndërsjellë në politikën ndërkombëtare.
“Në praninë e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe së bashku me liderë politik e shoqërorë, u dëshmua rëndësia e dialogut, respektit të ndërsjellë dhe përgjegjësisë morale në udhëheqje”, theksoi ai.
Sipas Gashit, pjesëmarrja në këtë ceremoni shërbeu gjithashtu si një mundësi për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për prezantimin e rolit të Maqedonisë së Veriut në arenën globale.
“Pjesëmarrja në këtë ceremoni qe një mundësi për të forcuar lidhjet miqësore dhe për të dëshmuar se Republika e Maqedonisë së Veriut është e pranishme, e dëgjuar dhe e respektuar në bashkëpunimin ndërkombëtar”, u shpreh ai.



