Kryeministri Mickoski: Kemi mjaftueshëm naftë

-Është rritur kërkesa, dua ta them këtë. Kemi ditë kur kemi mbi 2 milionë litra, që pompat e benzinës në shtet sigurojnë, tha kryeministri Hristijan Mickoski në lidhje me gjendjen e furnizimit ne naftë, pas krizës në Lindjen e Mesme, përcjell TV21. Maqedonia e Veriut është nga vendet e rajonit me çmimin më të lirë të naftës, ndërsa për këtë, Mickoski tha se nuk do të vendoset kufizim për veturat me targa të huaja, pasi sipas tij, në këtë mënyrë ndihmojmë edhe shtete fqinje.

“Kemi mjaftueshëm sasi të karburantit dizel dhe të produkteve të tjera të naftës, edhe në gyp përçuesin që e lëshuam në fillim të vitit, që e lidh Rafinerinë OKTA me portin e Selanikut, por edhe në rezervat shtetërore. Nuk kemi deri tani paralajmërime për çfarëdo pengese në pjesën e furnizimit. Nuk planifikojmë të vendosim kufizime, në këtë mënyrë ndihmojmë edhe fqinjët tanë, sepse disa aeroporte nga rajoni marrin kerozinë nga ne. Kështu që edhe këtu nuk planifikojmë të vendosim kufizim për sasi. Shumë qytetarë nga vendet fqinje furnizohen me benzinë dhe dizel nga pompat tona. Disa pompa për 3-4 herë e kanë rritur shpenzimin”, tha Micksoki.