Kryeministri Kovaçevski thërret takim liderësh

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka thirrur takim të liderëve të partive politike parlamentare për të hënën e ardhshme. Lajmi është komunikuar përmes një njoftimi nga kabineti i kryeministrit, përcjell INA.

“Ju njoftojmë se kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, do t’u dërgojë ftesë partive politike parlamentare për takim liderësh, i cili do të mbahet më 07.11.2022 (e hënë), në ora 12:00 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Mbledhja e thirrur nga kryetari i Qeverisë, Kovaçevski, organizohet me qëllim të hapjes së diskutimit për të ardhmen evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe për vendimet që në periudhën e ardhshme duhet të merren në Kuvend me një konsensus politik dhe social. Ju njoftojmë se ftesa për kryetarët e partive politike parlamentare do t’u dërgohet nesër më datë 02.11.2022 (e mërkurë)”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Kovaçevskit.(INA)