Kryeministri irakian thirrje protestuesve të largohen nga ambasada amerikane

Kryeministri i Irakut, Adil Abdulmehdi, u bëri thirrje protestuesve të largohen nga ambasada amerikane në Bagdad.

“Sulmi i SHBA-së ndaj pozicioneve tona ushtarake (Kataib Hezbollah) u dënua nga qeveria. Janë marrë disa masa për sigurinë e qytetarëve tanë”, thuhet në deklaratën me shkrim të kryeministrit Abdulmehdi.

Ai theksoi se është detyrë e qeverisë mbrojtja e përfaqësive të misioneve të huaja në vend, duke kërkuar që protestuesit urgjentisht të largohen nga ambasada amerikane në Bagdad.

Abdulmehdi gjithashtu shtoi se sulmet ndaj misioneve të huaja në vend do të parandalohen nga forcat e sigurisë dhe ata që do të tentojnë një gjë të tillë do të ndëshkohen sipas ligjeve.

Të paktën 25 njerëz u vranë gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së në fundjavë ndaj pozicioneve të Kataib Hezbollah, një grup militantësh të mbështetur nga Irani, në Irak dhe Siri që është i lidhur me forcat Hashd al-Shaabi.

Protestuesit irakianë në orët e mëngjesit të sotëm hynë në kompleksin e Ambasadës së SHBA-së në Bagdad, duke protestuar kundër sulmeve të Washingtonit mbi batalionet e armatosura të forcave të Hashd al-Shaabi të mbështetura nga Irani.

Ata gjithashtu i vënë zjarrin murit të ambasadës amerikane në Bagdad.

Pavarësisht se Abdulmehdi më 29 nëntor dha dorëheqje për shkak të protestave në vend që vazhdojnë nga 1 tetori, në vend ende nuk është zgjedhur një kryeministër i ri.