Xheladin Murati
Titulli i kësaj eseje mund të ketë më shumë forma, si: Pse N. Zyberi nuk u bë kryeministër shqiptar? A ishte ëndërr apo mashtrim kandidatura e tij? Si mashtrohet votuesi për interesa vetjake?A nuk ishte provokim kandidatura e Naserit?Etj.




Pyetja e parë dhe themelore që shtrohet është: Ku vajti kryeministri i parë shqiptar i promovuar me shumë pompozitet në fushatën parazgjedhore? A thua vallë padroni nuk e deshti?
Sllogani “U tha u bë” nuk ndodhi, s’u bë.Sllogani “Realizo ëndrrën tënde” nuk ndodhi, ëndrra mbeti diku e vjedhur.Sllogani “Është koha për kryeministrin e parë shqiptar” nuk ndodhi, nuk paska qenë koha tash.Apo nuk paska desh fati tash.Pse vallë nuk ndodhën këto?Ishte izolimi shoqëror që i largon njerëzit, apo indiferenca? E para me siguri se jo, mbase tubimet në fushatën parazgjedhore u mbajtën me publik ku nuk vlente protokolli, lirshëm pavarësisht kanosjes së Covid-19. E dyta ndoshta po, por me siguri se ishte në pyetje çështje tjetër shumë e rëndësishme sepse bëhej fjalë për një kombinim partiak i cili nuk ishte organik por artificialisht i ndërtuar, mes PPD-së së dikurshme dhe BDI-së së sotme.Megjithëatë, kjo është për t’u përshëndetur.
Cila është logjika e kësaj kandidature për kryeministër jashtë listës zgjedhore?Pyetje të tilla mund të shtrohen pa fund dhe asnjëra nga to nuk mund të marrë përgjigje logjike.Sepse logjika mungon.
Zhvendosja e kandidaturës për kryeministër i parë shqiptar e z. Naser Ziberi shtron shumë pyetje në opinion, si: A është ai tepricë teknologjike apo politike? A thua ajo ishte një dëshirë e paartikuluar mirë politikisht?A ishte një mashtrim apo manipulim i elektoratit? Etj.
Pse jo?
Do të ishte mirë që Maqedonia e Veriut, në këtë kohë pandemie të pranoj ndryshimet, të pranoj kryeministrin e parë shqiptar mbase kandidati është person me kulturë, dije, aftësi dhe kompetenca profesionale e politike për ushëdheqës të shtetit. Është verifikuar si i këtillë që me nismën e pluralizmit dhe braktisjen e monizmit (1990), atëherë kur u themelua PPD-ja.
Është koha që të sjellim një dimensison të ri në politikën tonë në Maqedoninë e Veriut, atë të vlersëimit dhe të reflektimit për gjithçka që ndodhi në zgjedhjet e parakoshme parlamentare. Reflektimi është i lidhur me zgjedhjen e z. Naser Ziberi për kryeministër të parë shqiptar, ashtu siç u zotua partia e cila e promovoi kandidaturën e tij.Mos të hiqet dorë nga arsyet e ndryshme dhe pazaret politike.Por, pazari nuk e hëngri këtë funksion shqiptar.
Z. Ziberi e surprizoi veten me kandidaturën e tij a përfitoi diçka nga oferta nuk e dimë.
Kandidimi i z. Naser Ziberi jashtë listave zgjedhore, vetvetiu është mashtrim dhe fillet e aktivitetit të tij qartë vinin në dukje një joseriozitet, një mëdyshje. Me kohën ai e forcoi pozitën e tij kryeministrore.
Kjo nuk ishte çështje fati. Ishte çështje indiference, e tërheqjes së rejshme. Ishte çështje loje, çështje mashtrimi të popullit përkatësisht të elektoratit shqiptar të BDI-së për të grumbulluar vota.E dimë këtë.Problemi është se shumë ngatërrojmë dëshirën dhe nevojën, indiferencën dhe këmbëngulësinë, personin dhe funksionin, insistimin në marrëdhënie politike që janë zhdukur prej kohësh.
Dëshira për kryeministrin shqiptar në Maqedoninë e Veriut ishte ndjenja dhe kërkesa e shpallur më e përfolur në fushatën parazgjedhore.Normalisht ishte ide e madhe që simbolizonte drejtësi, demokraci dhe babarësi etnike në një shtet i cili trajtohet unitarist, ku gjuha e shqiptarëve në kushtetutë njihet si gjuhë e 20 përqindshit dhe nuk është zyrtarizuar akoma.
Ideja për kryeministër shqiptar ishte ide madhore, meqë edhe kandidati për këtë post ishte i njohur dhe qëndroi burrërisht përballë popullit.Ajo ishte sfidë për kandidatin, për partinë që e inauguroi dhe për popullin shqiptar, i cili ndjehet jetim pa kryemistër.
Kandidati jo vetëm që premtonte për një shtet më demokratik e të barabartë, ai premtoi , arsyetoi dhe argumentoj nevojën se do të punon për të ndryshuar statusin e shqiptarëve. Ai ishte shumë i sinqertë, mendonte se përpara e ka PPD-në, sekretar i së cilës ishte dikur kur kjo parti artikulonte politikën kombëtare me shumë dinjitet, duke iu lutur edhe dy kryetarëve të ndjerë të PPD-së tek vari i tyre me buqetë lulesh që t’i japin përkrahje për kryeministër.
Si duket nuk pati mesazhe miradie nga dy kryetarët, apo thjesht nuk e përkrahën. Por ndejti burrërisht në skenën politike tri javore.Ai i përveshi krahët vet t’i dal zot kërkesës për postin e kryeministrrit.Ide shumë e forte, me jehonë të fuqishme tek populli dhe këtë unë e përshëndeta sinqerisht.
Por fakti që nuk u bë më befasoi shumë, ngjalli indinjatë. Kur fati të thotë “JO” pajtohesh me të.
Nga kryeministri i parë shqiptar hoqi dorë vetë partia e cila e propozoj.Kush i di të fshehtat e këtij projekti madhor.Vallë hoqën dorëpër pazare politike apo jokonsekuencë politike për të fituar poste të tjera për të zërë gojën e ushtarëve partiak?Apo diç tjetër.Kështu nëpërkëmbet kandidati, posti e funksioni.Sidoqoftë, mbetëm pa kryeministër shqiptar, mbetën vetëm billbordat me fotot e tij, mbetën paraqitjet e tij serioze, mbeti fakti se PPD-ja ka pasur kuadro të përgatitura profesionalsiht dhe politikisht për të gjitha funksionet shtetërore.Larg teje, me ty PPD.
Edhe pse jeta e re, raportet ndryshe nga dje kërkojnë kryeministër shqiptar, kërkon qasje të reja, simbole të reja, ajo nuk kërkon indiferencë, nuk kërkon mashtrim, nuk kërkon lojëra politike.
Politikëbërja kërkon vendosmëri, këmbëngulësi, sinqeritet dhe respekt.Megjithatë, e dimë se populli shqiptar i pranon gënjeshtrat dhe se është i prirur të jetoj me gënjeshtra, madje kur gënjeshtra është e fuqishme dhe duket sikur reale.Sa më shumë ta gënjesh, ai është aq më shumë përkrahës i gënjeshtrës. S’e di pse?Nuk kam shpjegim as psikologjik as edukativ.
I vetmi shpjegim është se gënjeshtra e mban gjallë bashkë me ëndrrën.
Kam bindjen se politikanët gënjejnë në çfardo mënyre.Është e njohur fakti se politikani premton çdo gjë pa mbulesë.Ka ndodhur, diku ku politikani u premton votuesve pos shumë projekteve edhe shkollë. Po, por iu përgjigjen ata, nuk kemi fëmijë. Në rregull, përgjigjet kandidati do të ju bëjmë edhe fëmij.
Tani koha e kryeministrit të parë shqiptar kaloi.Çfarë duhet bërë më tej?
Shqiptarëve s’u mbetet gjë tjetër të bashkohen, të mësohen të bashkëbisedojnë mes vedi, të mësojnë dhe t’i vlerësojnë gjërat më realisht, që të tjerët i konsiderojnë pak të rëndësishme.Të reagojnë me mençuri, forcë dhe rezistencë.Partitë shqiptare duhet të kapërcejnë mes vedi disa sfida.Prandaj ndonjëherë fati thotë “JO”, sepse shqiptarët duhet të thellojnë më tej veprimtarinë dhe jetën e tyre. Zgjedhjet ishin plot sfida që na dhanë mësime në jetë dhe veprimin politik. Në fakt, është koha për rimodelim të politikës shqiptare në Maqedoni.
Ndoshta kjo “JO” e tanishme është “PO” për më vonë. Ndoshta kjo “JO” e tanishme mund të jap gjëra më të mira nga sa kërkoni. Nuk i dihet fatit. Të mësohemi të bashkëpunojmë në politikëbërje, kjo është e rëndësishme për shqiptarët, jo rivaliteti, aroganca dhe mospërfillja.
Kthehem sërish te pyetja: Kush ua vodhi ëndrrën? Kush ua humbi shpresën? Mosrealizimi i ëndrrës për kryeministrin e parë shqiptar është dështim, dështim nga mungesa e forcës partiake ose, pse jo edhe dështim i planifikuar, apo kandidaturë sa për ta mashtruar elektoratin shqiptar.
Po për këtë mendoj se dy arsye madhore janë kryesore: Së pari, Zaevi të githa i ka në dorë dhe lirisht kur do mund ta shpall veten perandor.
Së dyti, BDI si propozuese dhe promovues të z. Naser Ziberit për kryeministër të pare shqiptar, që reflektoi ide e mirëpritur, madje premtuese duhet t’i hapin letrat njëherë e mirë me SDSM-në e Zaevit. Duhet ta kuptojnë se në essence SDSM-ja është trashëgimtare e SKM (LKM).
Politikani që e pranon sfidën të kandidaoj për kryeministër të parë shqiptar në RMV dhe po nga e njejta parti që e propozoj dhe e promovoj anashkalohet, shkurt heqin dorë, kjo ka domethënie për të keq.Nuk është PPD-ja, z. Zyberi, por BDI-ja. Dhe kjo manipuloj me personalitetin tend dhe me ndjenjat e elektoratit shqiptar. Prandaj anashkalimi është përtej çdo logjike të shëndoshë.
Megjithatë, z. Zyberi shkëlqeu në fushatën parazgjedhore dhe nuk ndriçoi më pas për shkak të ugurzive.Në fakt, kandidatura e tij ishte lojë, mashtrim, manipulim, gënjeshtrim me një qëllim madhor të grumbulloj vota BDI-ja për nevojat e veta.
E vërteta dhemb, mashtrimi vret, dyshimi torturon!
Në 100 ditët e fundit apo qeveri teknike, siç i thuan, kryeministri shqiptar është për të larë lesh.