Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau sot uroi muslimanët në mbarë globin për fillimin e Ramazanit, muajit të shenjtë të agjërimit.
“Duke uruar një Ramazan të bekuar për muslimanët që kalojnë muajin në shtëpi këtë vit. Duke u bashkuar në mënyrë virtuale, ne do të mund të qëndrojmë të lidhur dhe përsëri të nderojmë vlerat në zemër të Islamit, dhembshurinë, paqen dhe shërbimin ndaj të tjerëve. Urime Ramazani!”, shkroi në Twitter, Trudeau së bashku me një video-mesazh.
Në video, Trudeau tha se “udhëtimi shpirtëror një muajsh i agjërimit dhe lutjes” është tradicionalisht një kohë e “mbledhjes kolektive”, por do të “jetë ndryshe” këtë vit pasi vendi vazhdon luftën kundër COVID-19.
“Gjatë kësaj krize, vlerat në zemër të Islamit, dhembshuria, mirënjohja dhe bujaria, rrezatojnë më shumë se kurrë, pasi ne shohim muslimanët kanadezë që ndihmojnë fqinjët e tyre”, tha ai.
“Në kohë bamirësie dhe meditimi shpirtëror, Ramazani na kujton të vendosim nevojat e të tjerëve para tonave dhe t’i praktikojmë këto vlera në jetën tonë të përditshme”.
Trudeau gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të ndajnë kohën për të “njohur dhe shprehur mirënjohje për kontributet e paçmueshme” që muslimanët kanadezë i bëjnë çdo ditë vendit.