Kryeministri holandez: Jam mik i mirë me Zaevin, por do të punojmë me çdo Qeveri

Kryeministri i Holandës, Mark Rute ka komentuar dorëheqjen e prolonguar të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

I pyetur se nëse një ndryshim eventual i Qeverisë në vend do të ndikojë në procesin eurointegrues, Rute tha se nuk do të dëshironte të spekulonte pasi ajo është çështje e brendshme e shtetit.

“Unë jam mik i mirë me kryeministrin Zoran Zaev, por kuptohet se do të punojmë me çdo Qeveri të Maqedonisë së Veriut”, tha Rute në intervistë për “Sitel”.

Ka shtuar se është rastësi edhe vizita e tij e cila po realizohet një ditë para votimit të mosbesimit të Qeverisë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, pasi siç tha, vizita ishte planifikuar një muaj më parë.

Holanda ka qenë kritikuesja më e madhe në procesin eruointegrues të vendit. Megjithatë, Rute duke folur për këtë ka shtuar se pengesat për të cilat kishte dyshime Holanda, tashmë i kanë tejkaluar Shkupi dhe Tirana.

Përsëriti, se “problemi me Bullgarinë duhet të zgjidhet”./TV21