Kryeministri Edi Rama reagon për zgjedhjet në Hungari

Kryeministri i vendit Edi Rama ka dërguar një mesazh urimi për kryeministrin e ri hungarez, Péter Magyar, më herët gjatë ditës së sotme, më 13 prill.

Pas humbjes së thellë të Viktor Orbán, kreu i qeverisë shqiptare reagoi përmes një postimi në rrjetin social X, se për të ka qenë një kënaqësi e veçantë të bashkëpunojë me kryeministrin Orbán dhe të dëshmojë nga afër afrimin e Shqipërisë me Hungarinë.

“I uroj mikut tim të mirë, Viktorit, gjithë të mirat në këtë kapitull të ri të jetës së tij”, njoftoi Rama.

Gjithashtu, kryeministri Rama ka përgëzuar kryeministrin e ri të Hungarisë, Péter Magyar, për fitoren dhe për detyrën e re pas mandatit të fortë që i është besuar nga populli hungarez.

“Njëkohësisht, përgëzoj përzemërsisht Peter Magyar për fitoren e tij vërtet mbresëlënëse. I uroj kryeministrit të sapozgjedhur të Hungarisë suksese të plota në përpjekjen e tij për të hapur një kapitull të ri për vendin dhe shpreh gatishmërinë time për të bashkëpunuar ngushtë, me synimin për t’i afruar edhe më tej dy vendet tona”, deklaroi Rama përmes postimit.

Bëjmë me dije se Péter Magyar fitoi dy të tretat e deputetëve në Parlament, duke mundur Viktor Orbánin, kryeministrin e Hungarisë prej 16 vitesh.

/tvklan.al