Kryeministri britanik me mesazh “të drejtpërdrejtë” për Putinin: Nuk do të zmbrapsemi

Duke folur për Sky News në Hiroshima, Rishi Sunak kishte përgjigje të gatshme për politikën dhe pozicionin ndaj Ukrainës.

Disa orë më parë, kryeministri britanik kishte ndaluar importin e diamanteve ruse ndërsa beson se vendet e tjera të G7 do të ndjekin shembullin e Mbretërisë së Bashkuar.

“Rusia duhet të dijë se ne dhe vendet e tjera jemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për të mbështetur Ukrainën, jo vetëm këtu dhe tani me burimet që i duhen për të mbrojtur veten, por edhe për një afat të gjatë”, tha kryeministri.

Ndërkohë, duke folur me gazetarët dje përpara mbledhjes, një zyrtar amerikan tha se përpjekjet e fundit të G7 kanë për qëllim tkurrjen e aftësive të Rusisë për të marrë materialet që i nevojiteshin për fushën e betejës.

“Angazhimi ynë për të vazhduar shtrëngimin e vidave ndaj Rusisë mbetet po aq i fortë sa ishte vitin e kaluar”, tha zyrtari, raporton skynews.

SHBA dhe aleatët e saj, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe, kanë vazhduar të rritin sanksionet dhe presionin e kontrollit të eksporteve ndaj Rusisë që nga pushtimi i Ukrainës.