Marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe ShBA-së janë me rëndësi të madhe jo vetëm për të dy vendet, por gjithashtu për botën, tha të hënën këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Qin Gang.
Gjatë takimit në Pekin me ambasadorin amerikan në Kinë Nicholas Burns, kreu i diplomacisë kineze theksoi parimin e “respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta”. Ai vuri në dukje se Pekini shpreson që ShBA-ja të ecë në të njëjtin drejtim me Kinën, për t’i nxjerrë marrëdhëniet dypalëshe nga gjendja e vështirë dhe për t’i rikthyer në rrugën e duhur.
Pala amerikane duhet të ndreqë perceptimin e vet ndaj Kinës për të arritur sukses të ndërsjellë në zhvillimin më të mirë të të dy vendeve, u shpreh Qin .
Ai theksoi se pala amerikane duhet të respektojë vijën fundore të palës kineze dhe të ndalojë dëmtimin e sovranitetit, sigurisë dhe interesave të zhvillimit të Kinës, duke e trajtuar siç duhet çështjen e Tajvanit dhe duke mos cenuar parimin e “Një Kine”.
“Ne duhet të çojmë përpara negociatat dhe bisedimet në bazë të respektit të ndërsjellë e përfitimeve të përbashkëta,” tha ministri i Jashtëm kinez, duke shpresuar që ambasadori Burns do të bëjë përpjekje konstruktive në Kinë duke pasur më shumë kontakte e komunikime dhe duke qenë një urë ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.