Kryediplomati grek: Jemi në favor të heqjes së vizave për Kosovën

Ka përfunduar takimi mes ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla dhe ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias i cili sot po qëndron për vizitë në Kosovë.

Gërvalla pas takimit ka deklaruar se i pret hapat e ardhshëm për marrëdhënie të ndërsjella në fushën e ekonomisë, tregtisë e të politikës.

” Greqia është një fqinjë e rëndësishme për ne. Me Greqinë ndajmë mendimin që integrimi në NATO është i rëndësishëm. Kosova dhe Greqia janë pajtuar që të ngrihet zyra në Athin dhe të kthehet në zyre ekonomike. Njohja dhe pavarësia e vendit tonë përfshirë Greqinë e konsiderojmë si një kontribut për paqe në Ballkan. Duke pasur parasysh faktin që Greqia e sheh pavarësinë e Kosovës nga një kënd tjetër do të vazhdojmë dialogun rreth kësaj çështje. Me kolegun tim biseduam rreth bashkëpunimit kulturor e ekonomik”, ka deklaruara ajo.

Kurse ministri Dendias ka thënë se dëshirojnë të zgjerojnë marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare.

“Ne besojmë se i mbarë Ballkani Perëndimor duhet të lidhet. Prania ime këtu është edhe për të përçuar një mesazh që Greqia për dy dekada ka punuar për integrimin në Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor i takon Evropës”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave duke thënë se kanë mbajtur qëndrim në Këshillin Evropian.

“Ne jemi në favor të liberalizimit të vizave pasi vendi juaj i ka përmbushur të gjitha pika. Si Greqi, keni mbështetjen për sundimin e ligjit, luftën kundër krimit e korrupsionit. Ne jemi këtu nëse keni nevojë për ndihmën tonë në këtë drejtim. Kemi zyrtarë grekë në kuadër të misionit të EULEX-it që punojnë në këtë çështje. Ne pavarësisht qëndrimit tonë neutral dhe statusit të Kosovës, kemi një zyrë në Athinë e cila që nga viti 2019 vazhdon të jetë atje dhe të merret me çështje ekonomike dhe ne shpresojmë që kjo zyrë të jetë ndihmë edhe më shumë në marrëdhëniet tona Greqi-Kosovë”, tha ai.

Ai ka folur edhe për dialogun Kosovë Serbi.

“E mbështesim dialogun dhe u bëjmë thirrje të dyja palëve që të gjejnë zgjidhje sepse kjo zgjidhje do të stabilizojë të gjithë rajonin”, ka thënë ai.

​Kryediplomati grek në Kosovë, takohet me ministren Gërvalla

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias, po qëndron sot në Kosovë. Ai është takuar me ministren Donika Gërvalla.

​Kryediplomati grek viziton Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias, do të vizitojë sot Kosovën.

Gjatë kësaj vizite kryediplomati grek fillimisht do të takohet me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Pas takimit Gërvalla dhe Dendias do të mbajnë konferencë për medie.

Kryediplomati grek do të takohet edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti.

Kujtojmë që Dendias ka vizituar Kosovën edhe më 09 tetor të 2020-tës, kur në krye të Qeverisë ishte, Avdullah Hoti dhe ushtruese e detyrës së presidentes ishte Vjosa Osmani.

Dendias me të arritur në Kosovë pati deklaruar para mediave se çështja e njohës së Kosovës është çështje e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve.

Agjenda e Nios Dendias gjatë vizitës në Kosovë:

Ministri grek, Nikos Dendias pritet në Aeroportin e Prishtinës nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. (Aeroporti “Adem Jashari”, Prishtinë, ora 10:00)

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla zhvillon takim me homologun e saj grek, Nikos Dendias. Më pas të dy mbajnë konferencë për medie në ora 11:10. (Objekti i MPJD-së, ora 10:30)

Presidentja Vjosa Osmani pret në takim diplomatin grek, Nikos Dendias. (Presidenca e Kosovës, ora 11:40)

Kryeparlamentari Glauk Konjufca pret në takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:20)

Kryeministri Albin Kurti takohet me diplomatin grek, Nikos Dendias. (Qeveria e Kosovës, ora 12:50).