Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot ishte nikoqir i Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Vizita e Ministrit Dendias është vazhdim i komunikimit intensiv ndërmjet dy Ministrave të Punëve të Jashtme, të cilët gjatë bisedës konstatuan vazhdimin e dinamikës pozitive në raportet dhe bashkëpunimin, që njëherazi paraqet model për gjithë rajonin.
Ministri Osmani e informoi bashkëbiseduesin e tij se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut vazhdon të jetë e përkushtuar në realizimin e obligimeve të parapara me Marrëveshjen e Prespës, duke shprehur bindjen se Greqia i njeh dhe i vlerëson përpjekjet e Maqedonisë së Veriut.
“Greqia vazhdon të jetë lotues i fuqishëm i integrimit tonë dhe nisjes së negociatave për aderim që Republika e Maqedonisë e vlerëson veçmas”, theksoi Osmani.
Ndërsa Dedias ka theksuar se zgjedhja për të ecur në rrugën drejt familjes së madhe evropiane është zgjedhja e duhur për të mirën e njerëzve. “Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës duhet të vazhdojë. Ajo është baza për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe anëtarësimin e vendit në familjen evropiane”, ka deklaruar kreu i diplomacisë greke, Nikos Dendias, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Greqia, tha ai, është e kënaqur me atë që është bërë deri më tani për zbatimin e marrëveshjes.





