Kroacia bëhet me president të ri?

Rezultatet nga më shumë se 80 për qind e vendvotimeve tregojnë se ish-kryeministri Zoran Milanoviq do të jetë president i ri i Kroacisë.

Për momentin, rezultatet janë duke u përpunuar nga 5,692 nga gjithsej 6,533 vendvotime, ose 87.13 për qind.

Milanoviq, i cili vjen nga radhët e socialdemokratëve, sot në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ka marrë 852.241 vota, ndërsa kandidatja e HDZ-së Kolinda Grabar-Kitaroviq ka marrë 755.568 vota.

Partia HDZ ka pranuar humbjen, ndërsa SDP po feston presidentin e ri.

Presidentja aktuale, Grabar-Kitaroviq doli e dyta në raundin e parë të zgjedhjeve më 22 dhjetor, ku 11 persona garuan për postin e presidentit.

Ndryshe, që prej pavarësisë së vendit më 1991, HDZ shumicën e kohës ka qeverisur me Kroacinë.

Zgjedhjet presidenciale në Kroaci, këto janë rezultatet sipas sondazheve të reja

Në ora 19.00 qendrat e votimit në të gjithë Kroacinë janë mbyllur. Të tre televizionet kombëtare janë duke publikuar rezultatet e sondazheve të daljeve.

Sipas sondazhit të Ipsos Puls për HRT, RTL dhe Nova TV, në raundin e dytë të zgjedhjeve për president të Kroacisë prin Zoran Milanoviq me 53.22 për qind, ndërsa Kolinda Grabar-Kitaroviq ka marrë 46.78 për qind të votave.

Sondazhi u krye nga agjencia Ipsos Puls dhe rezultati i tij nuk përfshin votat e diasporës.

Është kryer në një mostër prej 10,000 votuesve, me një gabim statistikor prej 1.3 për qind.

Rezultatet e para jo të plota të zgjedhjeve do të publikohen sonte pas orës 20.00 nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Ndryshe, më shumë se 1.5 milion votues dolën në raundin e dytë për zgjedhjet presidenciale në Kroaci ose 43.52 për qind.