Krizë pagash në ShBA, Shtëpia e Bardhë vë në dyshim kompensimin e punonjësve

Një dokument i brendshëm i Shtëpisë së Bardhë ka ngjallur shqetësime mes qindra mijëra punonjësve federalë në ShBA, pasi sugjeron se ata mund të mos marrin automatikisht pagat e prapambetura pas përfundimit të bllokimit të qeverisë.

Sipas raportimeve të medias amerikane Axios, administrata e presidentit Donald Trump po sfidon interpretimin ligjor ekzistues të “Aktit për Trajtimin e Drejtë të Punonjësve të Qeverisë” të miratuar në vitin 2019. Ky ligj është përdorur më parë për të garantuar pagesat e vonuara për punonjësit që ndalojnë punën për shkak të mbylljes së qeverisë.

Në memorandum thuhet se Kongresi duhet të miratojë në mënyrë specifike fondet për pagesat e këtyre punonjësve dhe se ligji nuk siguron automatikisht kompensimin e tyre, ndryshe nga sa është praktikuar më parë.

Jo të gjithë republikanët janë dakord me këtë qasje. Senatori republikan nga Luiziana, John Kennedy, deklaroi për CBS News se presidenti nuk ka kompetencë të vetme për të vendosur mbi pagesat e punonjësve federalë.

Sipas Zyrës për Buxhetin e Kongresit, aktualisht janë rreth 750,000 punonjës federalë që nuk janë duke punuar që nga 1 tetori, kur nisi mbyllja e pjesshme e qeverisë. Pagesat e tyre të përditshme përllogariten në rreth 400 milionë dollarë.

Ndërkohë, ndikimi i bllokimit po ndihet gjithnjë e më shumë. Shumë parqe kombëtare dhe muze në ShBA janë mbyllur për publikun. Disa aeroporte, si ai në Hollywood Burbank të Kalifornisë, kanë funksionuar pa kontrollorë të trafikut ajror në vend për disa orë, duke shkaktuar vonesa dhe anulime fluturimesh.

Zyra e Menaxhimit të Personelit, një agjenci e pavarur qeveritare, tha në shtator se pagesat e prapambetura do të jepen sa më shpejt të jetë e mundur pas përfundimit të mbylljes. Deri më tani, qeveria amerikane u detyrohet punonjësve rreth 2.8 miliardë dollarë, shkruan Al Jazeera, transmeton Klankosova.tv.