Kriza shëndetësore në Gazë do të zgjasë për gjenerata, paralajmëron OBSH-ja

Gaza po përjeton një “katastrofë” shëndetësore që do të zgjasë për “brezat që do të vijnë” ka paralajmëruar drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai ka thënë në programin Today të BBC Radio 4 se nevojitet një rritje masive e ndihmës për të filluar adresimin e nevojave komplekse të popullsisë së Rripit.

Izraeli ka lejuar më shumë furnizime mjekësore dhe ndihma të tjera të kalojnë në Gazë që kur një armëpushim me Hamasin hyri në fuqi më 10 tetor, por Tedros ka shtuar se nivelet janë nën ato të nevojshme për të rindërtuar sistemin e kujdesit shëndetësor të territorit.

Deklarata e tij vjen ndërsa SHBA-ja përpiqet të ruajë armëpushimin të cilin e ka ndërmjetësuar, pas një shpërthimi dhune në fundjavë.

Marrëveshja është përshkruar nga Shtëpia e Bardhë si faza e parë e një plani paqeje prej 20 pikash që përfshin një rritje të sasisë së ndihmës që hyn në Gazë dhe furnizime të shpërndara “pa ndërhyrje” nga të dyja palët.

Tedros i ka thënë programit Today se e ka mirëpritur marrëveshjen e armëpushimit, por ka shtuar se rritja e ndihmës që pasoi ka qenë më e vogël se sa pritej.

I pyetur për perspektivat shëndetësore afatgjata në Gaza, ai ka thënë se “Nëse e merrni urinë dhe e kombinoni atë me një problem të shëndetit mendor që e shohim të përhapur, atëherë situata është një krizë për brezat që do të vijnë”.

Të martën, Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së ka njoftuar se kamionë që transportonin më shumë se 6,700 ton ushqim kishin hyrë që nga 10 tetori, por kjo ishte ende dukshëm nën objektivin e saj prej 2,000 tonësh në ditë.

Gjashtëqind kamionë me ndihma në ditë duhet të mbërrijnë në Gazë, por mesatarja është midis 200 dhe 300, ka thënë Tedros.