Kriza prek edhe bujqësinë e blegtorinë! Pas çmimit të naftës, është rritur edhe ai i plehut dhe farërave

Rritja e çmimit të derivateve të naftës, ka ndikuar edhe në bujqësi edhe blegtori. Ismalil Beqiri bujk nga Tetova, thotë se kostoja për të mbjellë produkte bujqësore është shumë e madhe, pasi që çmimi i naftës ka sjellë rritjen e çmimit të farave për mbjellje dhe të plehut artificial.

“Ju e shihni vetë se çfarë situate është tash unë merrem edhe me bujqësi edhe me blegtori. Për bujqësi na kanë lëshuar ca subvencione por ato nuk mjaftojnë, shumë pak janë a çmimet janë rritur, dihet, plehu artificial është rritur 150%, e nafta, na ka dhënë pak naftë shteti 100 euro, por çfarë do bëjë unë me ato, 17 hektar kam vetë dhe që marr me qira, mblidhen 50 apo 60 hektarë nëse nuk rrinë çmimet, se merrem më shumë me lakra edhe domate, ne mund të dështojmë. Nëse çmimet nuk rrinë ne dihet shkojmë me humbje, nga sot në Strumicë lakra është 6 denarë me shumicë, por 6 denarë kushton vetëm farën ta blesh, po ku janë çmimet tjera, po punëtorët kanë hipur, vetë nuk mundim!”- thotë Ismail Beqiri, bujk.

Nëse çmimet e produkteve nuk mbajnë çmimin aktual, bujqit druajnë se do të dalin ne humbje.

“Kanë qenë çmimet e mira por të dhënat kanë qenë shumë më të vogla s’di si të të them 100% më pak kanë qenë e shihni edhe vetë një thes me pleh ka qene 10 euro, këtë vit është bërë 25 euro llogarite plus edhe nuk ka, kjo është…”

Kushtet në të cilët punojnë bujqit në Pollog janë të vështira, ankohen ata. Problemi më i madh është ujitja, pasi që kanali për ujitje është i dëmtuar, andaj duhet të gjejnë alternativa të tjera.

“Kushtet janë katastrofë! Fillimisht sistemi i ujitjes është askund. Mundohemi vetë me pompa, me traktorë, ato kushtojnë. Harxhime janë, ndash me benzinë apo naftë! Naftën vetë e dini sa është bërë, kanali ku ka ujë ku nuk ka është edhe i pa pastruar mirë, bën dëm nga ata fshatrat tjerë, Radivoca edhe ne jemi nga fundi, ku vjen uji, ku nuk vjen”.

Bujku Beqiri bën apel deri tek organet kompetente që t’i kushtojë më shumë rëndësi investimeve në bujqësi e blegtori, pasi që nga këto veprimtari varen shumë familje financiarisht. Për të personalisht, me këtë punë mbahen 10 anëtarët e familjes, e nëse nuk kanë kushte thotë se mund të detyrohen edhe ta braktisin veprimtarinë.