Kriza e konstituimit: Kur ulëset e rezervuara kthehen në bllokadë

Shkruan: Agim Vuniqi

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për ta shtyrë edhe për 12 ditë konstituimin e Gjykatës Kushtetuese për ta shtyrë edhe për 12 ditë konstituimin e Kuvendit nuk e ka qartësuar situatën, por përkundrazi e ka tensionuar më shumë debatin publik. Zhurma politike po mbetet e përqendruar tek një pikë: a duhet që deputetët e shumicës shqiptare të votojnë përfaqësuesin e Listës Serbe (LS) si pjesë e konstituimit, duke qenë se ky subjekt ka të garantuara 10 ulëse? Kjo dilemë ngre tri çështje thelbësore: balancin politik, logjikën e përfaqësimit, dhe interpretimin e Kushtetutës.

Logjike e demokracisë parlamentare

Kuvendi i Kosovës përbëhet nga 120 deputetë, prej të cilëve 100 zgjidhen nga vota qytetare, ndërsa 20 janë të rezervuara për komunitetet jo-shumicë: 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet e tjera (boshnjakë, turq, goranë, romë, ashkali, egjiptianë). Ky mekanizëm buron nga Plani i Ahtisaarit dhe u mendua si garanci për përfshirjen e pakicave në vendimmarrje.

Por në praktikë, ky sistem ka prodhuar një asimetri të rrezikshme: Lista Serbe, si satelit politik i Beogradit, ka përdorur gjithmonë bllokun e saj prej 10 deputetësh, për ta penguar ose kushtëzuar konstituimin e institucioneve. Në rastin konkret, po krijohet përshtypja sikur shumica shqiptare ka detyrim kushtetues ta votojë kandidatin e LS-së për Kryesi, gjë që nuk qëndron as politikisht, as juridikisht.

Parimi i demokracisë parlamentare është i qartë: fituesi i zgjedhjeve ka të drejtën e parë të propozojë Kryetarin e Kuvendit dhe më pas Kryeministrin. Pakicat marrin pjesë në proces si garanci e përfaqësimit, jo si mekanizëm bllokues. Nëse ndodh e kundërta, atëherë bie parimi i barazisë së votës, ku një minorancë prej 10 ulësesh i dikton fatin 100 deputetëve të zgjedhur nga shumica qytetare dhe 10 të tjera nga komunitetet tjera pakicë.

Kompetencat e deputetëve të pakicave

Kushtetuta e Kosovës është e qartë. Neni 64 përcakton përbërjen e Kuvendit dhe ulëset e rezervuara, ndërsa neni 67 sanksionon zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit me shumicë votash (61 nga 120). Propozimi i parë është gjithmonë i partisë fituese. Vetëm nëse ai dështon, hapet rruga për alternativa të tjera.

Kjo do të thotë se deputetët e pakicave kanë të drejtë të votojnë ose të abstenojnë, por nuk kanë të drejtë ta diktojnë kandidatin. Çdo interpretim që përmbys këtë logjikë është devijim nga fryma e Kushtetutës dhe një hap drejt legalizimit të shantazhit politik.

Roli i Gjykatës Kushtetuese

Vendimi i Gjykatës për shtyrjen e konstituimit është perceptuar si interpretim selektiv, që shkon në favor të Listës Serbe. Por Kushtetuta nuk i jep Gjykatës të drejtë të imponojë që shumica shqiptare duhet ta votojë patjetër kandidatin e LS-së. Përkundrazi, Gjykata duhet të garantojë balancën: të drejtën e fituesit për të udhëhequr procesin dhe të drejtën e pakicave për përfaqësim, por jo për dominim.

Nëse një minorancë e privilegjuar kthehet në mekanizëm për të bllokuar institucionet, atëherë nuk kemi më rend demokratik, por një sistem të deformuar që e cenon sovranitetin qytetar.

Zgjidhja e mundshme

Meqë fituesi i zgjedhjeve (VV) propozoi kandidatin për Kryetar të Kuvendit. Pas zvarritjes disa mujore kandidati i VV-së u zgjodhë me 71 vota, të cilat u siguruan nga shumica shqiptare në bashkëpunim me komunitetet tjera jo-serbe. Pjesëmarrja e LS-së nuk është kusht.

Deputetët e pakicave ajo serbe dhe të tjerët duhet të ushtrojnin mandatin e tyre si garanci e integrimit, jo si instrument bllokues. Meqë LS nuk votoi, përgjegjësia politike bie mbi ta.

Kriza e konstituimit nuk është juridike, por politike.

Kushtetuta e Kosovës e thotë qartë: fituesi propozon, të tjerët votojnë. Çdo tentim për t’i dhënë Listës Serbe të drejtë vetoje në procesin e konstituimit është shkelje e frymës kushtetuese dhe rrezik për funksionalitetin e shtetit.

Demokracia kosovare mund të funksionojë vetëm atëherë kur 20 ulëset e rezervuara shihen si garanci për përfaqësim, jo si fuqi për bllokim. Nëse ky parim nuk respektohet, Kosova rrezikon të mbetet peng i një minorance që i shërben agjendës së Beogradit, jo interesave të qytetarëve të saj.