Kritikohet opozita për qasjen ndaj Asociacionit, kërkohet bashkëpunim më i thellë me qeverinë

 

Pozita dhe opozita në vendin tonë, vazhdojnë të kenë qëndrime tejet të kundërta, madje edhe mund të themi se ka një mungesë bashkëpunimin në mes këtyre spektreve politike në vend.

Së fundi, është Asociacioni i komunave me shumicë serbe që i ka vendosur përballë njëra-tjetrës, e që në këtë rast ka pasur përplasje të qëndrimeve.

Qeveria Kurti po vazhdon ende të i bëj ballë presionit të ndërkombëtarëve për themelimin e Asociacionit, ku po e refuzon një gjë të tillë, marrë parasysh shkeljet që i janë bërë Kushtetutës së vendit me nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

Kurse, këto ditë, “Instituti Friedrich-Ebert-Stiftung” dhe “Instituti Evropian për Paqe” kanë publikuar oline Draft-Statutin e hartuar nga ta të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Drafti në fjalë që i ka 18 nene, përgjithësisht është i ngjashëm me atë të mëparshmin që ishte rishfaqur në publik muaj më parë.

Veç se në këtë draftin e ri, Asociacioni është riemërtuar në “Asociacioni i Komunave në të cilat komuniteti serb kosovar është shumicë”.

Sipas dy instituteve, publikimi ka objektivat: “Të paraqes propozimin për “Asociacionin e Komunave në të cilat komuniteti serb kosovar është shumicë” që është në vijë me sistemin kushtetues dhe ligjor në fuqi; të adresojë dhe inkorporojë pritjet dhe shqetësimet praktike të banorëve të komunave anëtare dhe; të lehtësojë diskutimin publik mbi temën e rëndësisë kombëtare mbi nazën e draft-statutit”.

Ata theksojnë se janë institute që nuk kanë lidhje me qeveritë respektive të shteteve e as nuk janë autorizuar për të bërë këtë propozim.

Është e çuditshme se si as opozita dhe as pozita nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët për të përafruar qëndrimet e tyre për Asocaicion dhe pse jo të thërrasin një seancë parlamentare në Kuvend.

Preqi: Nuk do e dëshironim kurrë të kemi një opozitë të tillë 

Opinionisti Dedë Preqi komentoi qëndrimet e pozitës dhe opozitës karshi themelimit të Asociacionit.

Image

Dedë Preqi

Fillimisht, ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” përmendi qeverisjet ndër vite të Kosovës, e që sipas tij e kanë sjellë vendin në këtë pikë ku është sot.

“Kuptohet se asnjë njeri nuk është i edukuar dhe i mësuar që ta ushtrojë pushtetin në mënyrë të drejtë, por secili pushtetar që mendon dhe vepron pa djallëzi, efekti pozitiv lidhur me përdorimin e pushtetit nuk do të mungojë. Ky imazh në mes pushteteve tona është mjaft i ndryshëm njëri me tjetrin edhe pse Kosova, është një shtet i ri demokratik, të cilin na mundësuan të tjerët, por vetë ne, mund ta ngrisim dhe zhvillojmë, por edhe mundemi ta poshtërojmë edhe ta humbim përmes formave të ndryshme, sikur që janë krimi i organizuar dhe korrupsioni. 

Për më shumë se 20 vite, Kosova është qeverisë prej njerëzve të luftës, të cilët erdhën në pushtet me merita e pa merita, dhe në një mënyrë një pjesë e tyre e ka merituar, duke marrë parasysh se përmes luftëtarëve të lirisë dhe gjakut e të rënëve, kuptohet me fuqinë e NATO-s, Kosova, u renditë në mesin e shteteve të lira të botës. 

Por, pikërisht këtu qëndron edhe mundësia e një pushteti të gabuar, sepse shumica e këtyre pushtetarëve sikur zbritën prej maleve dhe qeverisja e tyre u shdërrue më shumë në apetite dhe plaçkitje të pronave, se në rritje të ndërtimit dhe zhvillimit të këtij vendi, ku brenda një kohe të shkurtër shumica e tyre u bënë edhe milionera në kurriz të këtij populli”, tha ai.

Preqi qeverinë e kryesuar nga Kurti e cilësoi si shumë të rrallë dhe mirëorganizuar, derisa problemin kryesor të Kosovës e vlerëson raportin me Serbinë.

“Kuptohet se në asnjë vend të botës nuk ka një etikë që na tregon mbi përdorimin e pushtetit të efektshëm e ca më pak ka një edukim specifik për këtë qëllim, as te elita dhe as te bashkësia njerëzore, por me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Listën Guxo, Kosova, ka hyrë në një fazë të re të udhëheqjes, e cila cilësohet një ndër të rrallat në këtë vend, më më pak krim të organizuar dhe më më pak korrupsion të dalluar.  

Problemi kryesor i Kosovës, sot qëndron tek marrëdhëniet e saj me Serbinë, rreth së cilës sillet gjithë e ardhmja e saj, dhe zgjidhja e së cilës varet jo thjeshtë edhe mirëqenia dhe stabiliteti i këtij populli, edhe pse egërsia ndaj tij është mposhtur njëherë, por prap se prapë, ky popull dhe ky vend po kërcënohet nga i njëjti armik, por fati i Kosovës, nuk do varet nga egërsia e armiqëve të saj, por nga fuqia e miqëve të Kosovës, në krye me SHBA-të dhe aleatët e saj”, deklaroi opinionisti.

Sa i përket qasjes së opozitës, ai tha se partitë opozitare po e luajnë rolin e pakurrizorëve, ku me paraqitjet e tyre po përmbushin apetitet e Vuçiqit.

“Dhe kjo opozitë e sotme në krye me PDK, LDK dhe AAK, në vend të kritikave ndaj qeverisë për Asociacionin, si një temë shumë e rëndësishme, me të cilën po merren edhe ndërkombëtarët, opozita kosovare po e luan rolin e pa kurrizorëve, përveç të kaluarës së tyre me pushtete të korruptuara, kemi në këto çaste edhe një paraqitje tjetër, që po ia përmbushin planet dhe apetitet politikës së Vuçiqit.  

Sjellja e tyre ekstravagante nuk i afrohet aspak rolit të një opozite parlamentare që trajton çështjet me interes të përgjithshëm për vendin dhe që sjell alternativa të reja e pozitive, poashtu nuk lë fare përshtypjen e një serioziteti, kur kritikat i bëjnë të pa sakta dhe me shpërthime emocionesh, që ky model i opozitarizmit, të cilën e ka zgjedh kjo elitë politike, na jep shenja të kuptojmë se kemi të bëjmë me një energji të pa dobishme në këtë shoqëri”, theksoi Preqi.

Në vazhdim, opinionisti thotë se shprehjet me të cilat po tentohet të përqeshet qeveria e Kurtit, janë dobësi dhe hipokrizi.

“Vetëm gjuha e bastarlluar, fyese e denigruese në Parlament, mesazhet që ia përçojnë popullit të vet janë të ftohta, të cilat e humbin besimin nga vetja dhe e shtyejnë atë të mohojnë gjithë atë që ndjejnë dhe të dyshojnë tek vlerat e tyre në Kuvendin e Kosovës, dhe në secilin Parlament të botës, duke e etiketuar dhe fyer njëri-tjetrin në mënyrat më të ulëta njerëzore, që do të ishte më shumë se një dështim total moral dhe çrregullim i një shoqërie njerëzore.  

Sjelljet, shprehjet përmes të cilave e nëçmojnë pa të drejtë dhe e përqeshin pozitën e sotme, apo pushtetin aktual të Albin Kurtit, janë dobësi dhe hipokrizi e një shoqërie të dështuar, diagnozat dhe prognozat e të cilëve janë të njohura, por gjitha këto trajtime dhe vullgarizma të tyre, jo vetëm që e ulin prestigjin e opozitarizmit, por në anën tjetër e pengojnë dhe denigrojnë punën dhe rolin Parlamentit tonë, sikur kjo shoqëri ende nuk e ka gjetur një gjuhë të përbashkët që të bashkëpunojnë në harmoni me njëri-tjetrin, që duhet ta pyesim vetën njëherë se, cili është qëllimi i jonë i përbashkët dhe kur do të arrijmë unitetin dhe pikësynimin tonë në një interes të përbashkët”, nënvizoi ai. 

Tutje, Preqi potencoi se opozita nuk e e kryen rolin e saj siç duhet, pasi po refuzon të bashkëpunojë me qeverinë, deisa merret vetëm me interesat e saj personale dhe jo të qytetarëve.

“Qytetarët e këtij vendi, me të drejtë bëhën të pa durueshëm, që detyrohen ta humbin durimin, madje i thonë vetes ndoshta, çka mundemi me pritë prej këtyre njerëzve, që nuk janë në gjendje të gjejnë një kompromis në mes veti, së paku për të dëshmuar se jemi të gjithë së bashku për këtë popull dhe për këtë vend, i cili edhe në këto sfida të këtyre ditëve, siq është Asociacioni i komunave serbe, që është kryekëput në dëm të shtetit të Kosovës, do duhet ta përballojmë së bashku. 

Kjo opozitë që nuk dëshiron të bashkëqeverisë me pozitën edhe pse e ka obligim të bëjë kritika të nevojshme pushtetit të vet, të cilat janë të pranueshme dhe në kuptimin e qeverisjes së mirë të vendit, dhe ka të drejtë të gjejë dhe të korigjojë pikat e dobëta të pushtetit, dhe ka të drejtë të mbrojë kauzat që janë në interes të popullit dhe shtetit, dhe ka të drejtë të propozoj dhe të inkuadrohet në çështjet madhore të vendit, sikur janë politikat e brendshme dhe të jashtme, sikur janë reformat në arsim, kulturë e shëndetësi dhe shumë reagime të tjera, që prekin interesin e përgjithshëm. 

Kjo opozitë sikur po e tregon të kundërtën dhe nga njëherë po e luan rolin e hiqit, sepse nuk po i intereson të kuptojë rolin e vet opozitar, nuk po i intereson për një përshtatje dhe për një bashkëpunim me pozitën, sikur është çështja e dialogut me Serbinë, që kërkohet një unitet i përbashkët i gjitha partive politike dhe një përgatitje e plotfuqishme në kuptimin e një marrëveshje të frytshme dhe të suksesshme në mes palëve”, shpjegoi opinionisti.

Ndër të tjera, ai konsideron se në disa çështje të rëndësishme rolin kryesor duhet ta luaj Kuvendi i Kosovës, i cili me kompetencat e veta që ka, ku edhe duhet të thërrasë seancë për të diskutuar për Asociacionin.

“Prandaj, gjendja aktuale që po qëndron në mes pozitës dhe opozitës në Kosovë, është shumë brengosëse dhe alarmuese, që lidhet me përceptimin e një shoqërie politike diskutabile, e cila tërë kohën po e shfrytëzon duke u marrë me fyerje dhe shantazhe ndaj njëri-tjetrit, sikur kjo opozitë po  konsiderohet dhe po e dëshmon vetë se është një opozitë, të cilën nuk do e dëshirironim kurrë të kemi një të tillë. 

Mirëpo, është me rëndësi të themi edhe këtë, nëse opozita është e tillë, por nuk do të thotë se të gjitha fajet i ka opozita, kur në disa çështje të rëndësishme dhe kolosale rolin kryesor duhet ta luaj Kuvendi i Kosovës, i cili me kompetencat e veta që ka, duhet ta ngritë zërin e Kuvendit në Parlament, si për shembull, pse Kuvendi nuk e organizon një Seancë Parlamentare, për të diskutuar dhe për të debatuar propozimet e FES-it, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Prandaj, duke ditur rolin e FES-it, si një Institut Evropian i Paqes, dhe Zyra e Fridrich-Ebert-Stiftung, në Prishtinë, ka disa vite që ka prezentuar punën dhe rezultatet e saj, duke hartuar një draft statut për asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Ndër të tjera, ky Institut ka dhënë kontributin e vet në shumë çështje, si në ato politike, ekonomike por edhe sociale, që synon ta forcojë edhe Kosovën, si partnere e paqes dhe sigurisë në rajon, duke e mbështetur edhe integrimet e saj në BE. Ky Institut Evropian i Paqës, i cili e ka bazën në Bruksel, është edhe një fondacion i interesit publik, që plotëson dhe forcon paqen, si dhe përpjekjet evropiane për zgjidhjen e konflikteve, duke përfshirë edhe çështjet e pa zgjidhura në mes Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”. 

Mulliqi: Spektri politik në Kosovë duhet të jetë një zëri, më shumë se kurrë më parë në Kuvend 

Kurse, analisti politik, Skënder Mulliqi në një bashkëbisedim me “Bota sot” kundërshtoi themelimin e Asociacionit, teksa tha se ky vendim mund t’i shkaktojë dëme të mëdha Kosovës, duke e bërë shtet jofunksional.

Image

Skender Mulliqi

“Marrëveshja për Asociacionin/bashkësinë e komunave më shumicë serbe ka shënuar kulmin e mosmarrëveshjeve të dialogut nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë, por për fat të keq edhe ndërmjet pushtetit dhe opozitës në Kosovë. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, kundërshton themelimin e Asociacionit, teksa Serbia këmbëngul që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërkaq edhe SHBA-ja ka argumentuar se ka ardhur koha që të formohet Asociacioni. Të kthehemi pak të qendrimimi opozitarë lidhur më Asociacionin, i cili nëse implementohet në bazë të marrëveshjeve të Brukselit, i shkakton dëme të mëdha vendit, duke e bërë Kosovën shtet jo funksional”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Mulliqi kritikoi qasjen e partive opozitare karshi marrëveshjes për Asociacionin.

Ai kundërshtoi qëndrimet e tyre, derisa kërkoi një përafrim të qëndrimeve me qeverinë. Sipas tij, ata po mundohen që ta shfrytëzojnë Asociacionin që të vijnë sërish në pushtet.

“Prej, se kanë filluar takimet e ngjeshura të përfaqësuesëve të BE-së, dhe të Amerikës për Kosovën, me pushtetet në Kosovë dhe në Serbi, blloku opozitar është sjellur në mënyrë nonshalante. Nuk kanë qenë unik në qëndrime, që ato të përafrohen me pozitën kur dihet se në pyetje është e ardhmja e Kosovës. Ata sikur po ngarendin që të përfitojnë nga rasti për të ardhur sërish në pushtet. Kjo është e pashembullt kur dihet se janë në pyetje interesat vitale shtetërore e nacionale. Bile po lihet përshtypja në opinion se këta po të ishin në pushtet me të dyja duart do t’ia bënin aminin Asociacionit i cili po i ngritet si kurth Kosovës.

Është e pajustifikueshme kur jemi te kjo temë që 27 shtetet e BE-së, që e kanë pranuar pavarësinë me pako të Ahtisarit, e me ngulm po kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve, ku me gjasë këtij qëndrimi iu ka bashkangjitur edhe Escobar. Se a do të jetë ky qëndrimi përfundimtar i tyre, që Asociacioni pa asnjë ndërhyrje të bëhet faktik, do të shohim në ditët dhe javët në vazhdim. Sipas draft të statusit të FES-it asociacioni do të ketë të gjitha organet përkatëse ngjashëm me ato të shtetit, me një lidhje thuaja të brishtë me qendrën”, theksoi analisti. 

Më tej, ai fajësoi PDK dhe LDK për nëshkrimin e marrëveshjes së Asociacionit, derisa kërkoi një unitet politik në vend, pasi e vlerësoi si një çështje shumë të ndjeshme për Kosovën dhe shqiptarët.

“Deklarimet politike të opozitës se Asociacioni është në përgjegjësi të pozitës, është deklarim skandaloz, kur dihet se pikërisht udhëheqësit e dikurshëm në pushtet të PDK dhe LDK kanë firmosur marrëveshje të dëmshme në Bruksel, e që na lanë tash ‘patatën e nxehtë’ te dera. Edhe po mos të ishte kështu, duhet pasur unitet si kurrë më parë, se aktualisht është tema më shqetësuese për Kosovën dhe për shqiptarët përgjithësisht. Kështu, si PDK dhe LDK, nuk ka menduar deri diku AAK-ja, e cila po kërkon që Asociacioni të zbatohet konformë Kushtetutes së Kosovës. LDK-ja dhe PDK-ja, të cilat marrin pjesë në takimin e ambasadës amerikane kanë thënë se mbështesin dialogun nga Brukseli dhe Amerika, por që këto dy parti nuk kanë mundësi të marrin përgjegjësinë e shumicës siç kanë thënë. Kjo nuk është e mirë, kur dihet se shumicë janë të gjithë pozitë dhe opozitë, e jo që pastaj nëse implementohet apo refuzohet Asociacioni, fajtorë të mbetet qeveria e Albin Kurtit”, nënvizoi Mulliqi. 

Në fund, analisti tha së mënyra siç po kërkohet nga ndërkombëtarët që të veprohet me Asociacionin është antikushtetuese dhe nuk e ndikon në rritjen e stabilitetit politik.

“Spektri politik në Kosovë duhet të jetë një zëri, më shumë se kurrë më parë në Kuvend, duke i përafruar qëndrimet, se është duke ju bërë trysni politike dhe padrejtësi tjetër e madhe Kosovës. Tek e fundit a ka kuptim implementimi monoetnik i Asociacionit, për minoritetin serb, kur dihet se ai i gëzon të gjitha të drejtat konform normave ndërkombëtare për minoritete. Ne kemi një asociacion dhe aty e kanë vendin edhe komunat me shumicë serbe, e jo të veprohet me norma dhe rregulla antikushtetuse, siç po dëshirohet të veprohet nga ndërkombëtarët. Kësaj i thonë kontrabandim e asgjë tjetër, e që nuk i kontribuon më duket mua stabilitetetit politike dhe të sigurisë në rajon”, përmbylli Skënder Mulliqi për “Bota sot”.