Kritika ndaj Ligjit për Arsimin e Lartë, Petkovski: Me ligjin e ri mund të shuhet ndonjë universitet

Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit “Nënë Terezë”, Aleksandar Petkovski, thekson se vërejtjet e universitetit ndaj ligjit për arsimin e lartë përqendrohen në dy drejtime kryesore: kriteret që profesorët duhet të plotësojnë për zgjedhje, rizgjedhje dhe avancim, si dhe ndikimi i ministrisë mbi universitetet, që cenon autonominë universitare, shkruan TV21. Nga universiteti bëjnë të ditur se kanë marrë përgjigje jo të drejtpërdrejtë nga ministria, por theksojnë se në variantin e dytë të ligjit janë vërejtur disa ndryshime. Ata shtojnë se planifikojnë të jenë të pranishëm para deputetëve, ku do t’i paraqesin dhe arsyetojnë vërejtjet e tyre.

“Ministria ka shumë instrumente ndaj universitetit dhe universiteti nuk ka shumë instrumente ndaj ministrisë. P.SH. nëse doni të punësoni dikë u nevojitet pëlqim nga qeveria, ministria dhe ne kemi nevojë për profesorë por nuk na japin leje për punësim. Nëse flasim për para buxhetin e aprovon kush?! Ministria përsëri. Nuk mund të bëni shumë gjëra vetëm, edhe ministresha me ligjin e ri mund të anulojë një akt universitar, mund të shuhet universiteti”, tha Aleksandar Petkovski, dekan i fakultetit juridik në UNT.