Krimi dhe “çmimi i jetës”

Shkruan: Gëzim Tushi

Ka kohë që situata kriminale në shoqërinë është duke u agravuar. Një dukuri sociale, e cila përditë është e pranishme, është bërë si “bukë e përditshme” për shoqërinë. Nëse flasim për “normën e kriminalitetit” nuk duhet shumë për të kuptuar që për shumë arsye sociale, faktorë objektivë dhe subjektivë ai është zgjeruar dhe intensifikuar në përmasa shqetësuese. Ngjarjet kriminale të ditëve të fundit, krimet e përbindshme dhe skenat e llahtarshme të akteve kriminale në disa qytete të vendit, janë tregues i shumë gjërave, që janë të lidhura me disa shkaqe që tregojnë se krimi, kriminaliteti social dhe kriminelët individualë po tentojnë të kapin “fundin e të keqes”, duke e përshpejtuar banalizimin e kësaj patologjie sociale, duke e zgjeruar dimensionin ontologjik të shkaqeve dhe fenomenologjinë e formave më antihumane, perverse e gjakësore më të mundshmet e kriminalitetit. Efektet e situatës janë të shumta e të shumëfishta, që në esencë tregojnë se shoqëria shqiptare është nën efektet e tronditjes ekzistenciale, mbase nga shumë faktorë me natyrë politike e sociale, por nëse bëjmë një diagnostikim të të këqijave në këtë periudhë, sipas mendimit tim, krimi si akt agresiv dhe kriminaliteti në të gjithë format dhe trajtat, të kryera për shkaqe banale apo të “qenësishme”, është kthyer në një shqetësim ekzistencial, në plagën sociale më toksike të kohës, në një epidemi që shoqërohet me vrasje, krime, humbje jete të njerëzve tanë.

Të kryera me gjak të ftohtë apo në nxehtësi, në mënyrë racionale, strategjike e të parashikuar apo në mënyrë spontane, aksidentale, rastësore. Në të gjitha rastet shkaqet dhe pasojat e krimit në shoqërinë tonë, janë bërë plagë e madhe endemike që po cenon lirinë, të drejtat e njeriut, sigurinë, paqen sociale. Të cilat të gjitha së bashku janë kthyer në një patologji toksike, që po “gllabëron” jetë njerëzore dhe në të njëjtën kohë, helmon jetën sociale, shëndetin e shoqërisë. Besoj se është e udhës të përmendim paradigmën e Albert Kamysë, i cili shprehet kundër tendencës dhe idesë, se krimi dhe e keqja janë të përjetshme se vrasjet janë të vazhdueshme. Sipas tij “…kështu e vëmë veten në rrezik dhe rrezikojmë në radhë të parë njerëzoren tek ne, e cila në thelb është pjesa jonë jokafshërore, aspekti etik i vetes”. Zygmunt Bauman “Holokausti”, f 314

Shpeshherë, edhe në reagimet e ngjarjeve të fundit qoftë politikisht, mediatikisht, sidomos moralisht dhe nga ana sociale, vihen re perceptime të ngushta të shkaqeve të krimit, mënyra të gabuara të interpretimit social, duke sjellë argument që nuk janë aspak adekuate dhe nuk ndihmojnë për ndërtimin e luftës kundër tij në të dy frontet: atë të edukimit human të njerëzve në të gjitha nivelet institucionale si kusht për parandalimin dhe “zbutjen e kafshës” që endet brenda natyrës së njeriut me prirje kriminale, të panatyrshme për tipologjinë e homosapiensit dhe natyrisht edhe të frenimit, ndëshkimit përmes veprimit të institucioneve të drejtësisë dhe instrumenteve të ndëshkimit të merituar, si kusht për të vendosur sa më shpejt drejtësinë, duke bërë njëkohësisht “zap” këtë njeriun “bishë”, që endet i lirë në shoqëri, që vepron i “lirë” dhe që udhëhiqet nga instinktet irracionale, banale, të pakontrolluara nga askush.

Padyshim krimi dhe kriminaliteti është bërë kaq shumë i përhapur dhe i “demokratizuar”, saqë mund të pohojmë pa frikë dhe në mënyrë të vërtetë, se ai është kthyer në një “produkt shoqëror” anormal, amoral, me efekte toksike të pallogaritshme. Sepse të gjithë ata që kanë kryer krime, që dëmtojnë jetën morale të shoqërisë dhe integritetin fizik, personalitetin dhe dinjitetin e njeriut, nuk janë “ekstra planetarë”, por janë njerëz që i kemi midis nesh, jetojnë në shoqërinë tonë. Por me një ndryshim, që ata kanë dalë nga shtrati i qenies humane, shpërdorojnë lirinë apo akoma më keq e përdorin lirinë për qëllime kriminale, shfaqen me natyrë të degraduar antihumane e sociopatike, që tentojnë të bëjnë ligjin dhe ta vendosin veten mbi moralin e nevojshëm dhe normat e bashkëjetesës së përbashkët qytetare.

Në një farë mënyre, pjesa më e madhe e atyre që kanë kryer krime, nuk janë me të meta mendore. Kjo “pelerinë justifikuese” e problemeve të shëndetit mendor, është një faktor, por është I pamjaftueshëm dhe nuk i “mbulon” të gjitha shkaqet e tjera, që janë faktorë eminent e komplementarë të kriminalitetit. Nuk është e vërtetë që të gjithë ata që bëjnë krime janë të “çmendur”. Pjesa me madhe e tyre janë njerëz me mangësi edukative, që kanë jetuar në familje disfunksionale dhe me strukturë sociale kaotike e të lëkundur, në habitate familjare me mungesë e anomali të theksuara të shoqëruara me mungesë flagrante të përgjegjësisë prindërore, pa kujdesin e tyre edukativ permanent, shpesh duke qenë të vetmuar, të izoluar nga jeta sociale, pa arsimin e duhur dhe formimin me norma qytetare solide, duke qëndruar jashtë ndikimeve pozitive dhe efekteve humane të institucioneve edukative, të formimit kulturor dhe normave etike të disiplinës së përbashkët sociale. Kjo është arsyeja, ky është shkaku themelor i kultivimit të njeriut me natyrë kriminale. E bashkuar kjo pastaj edhe me rrethanat e dobëta sociale, ndikimin në rënie të komuniteteve të përbashkëta, zbehjes së forcës së institucioneve, mungesa e intransigjencës ligjore, kanë krijuar përjetimin subjektiv se koha që jetojmë kërkon “njeriun e fortë”, agresiv, asocial, që kërkon të jetë i lirë, jashtë shoqërisë dhe rregullave e normave të saj, që veprojnë nën ndikimin e instinkteve zoologjike, jashtë determinimeve të sjelljes racionale, të dominuar nga mendime animaleske dhe të udhëhequr nga “fuqitë e verbra” të paarsyeshme fizike e kriminale.

Diagnostikimi i situatës kërkon “lente” të reja sociale, politike e psikologjike, për shikimin dhe vrojtimin objektiv të dukurive të agravuara të krimit. Bashkë me një strategji të integruar e kompakte politike e sociale, si parakusht për të rindërtuar një “ekuacion social”, për të lidhur dhe vendosur në pozicionin e duhur lidhjen e natyrshme, funksionale dhe efektive të institucioneve të edukimit human. Të familjes në radhë të parë, si “furnalta e parë sociale” ku derdhet dhe formohet personaliteti human, bashkë me forcimin e parimeve të reja të prindërimit dhe komunikimit në jetën shtëpiake, të punës edukative të shkollës, që nuk e bën si duhet dhe nuk ndihet sa duhet e angazhuar, duke nënvleftësuar ose mos vlerësuar sa duhet, jo vetëm të formimit intelektual, por së pari të formimit qytetar të nxënësve, duke skalitur tek ata tipare humane, aftësi komunikative e rrugë për zgjidhjen racionale të kontradiktave, shmangien e epidemisë së bullizmit etj..

Padyshim, përgjegjësi deontologjike kanë gjithashtu edhe struktura të tjera të jetës sociale, sikurse janë organizatat e shoqërisë civile, roli e funksionet e ndikimit shpirtëror të institucioneve fetare, ndikimi i kufizuar edukative i medias klasike, tradicionale e moderne. Sidomos i formave të larmishme të infulencës së internetit, rrjeteve të shumta sociale dhe kanalet digjitale, në të cilat prania e shtuar e dhunës dhe propagandimi i “njeriut të fortë”, janë patologji endemike me ndikim social e moral destruktiv. Por unë mendoj se shkaku i kësaj situate të shfaqjeve të kriminalitetit në jetën tonë është edhe mungesa e përgjegjësisë së nivelit, strukturës dhe ndikimit kontroversal të shoqërisë. Këta njerëz që vrasin babain, nënë, gjyshen, gruan, motrën, shokun, fqinjin, konkurrentin, për motive padyshim të gjitha banale dhe të mundshme që mund të zgjidhen në rrugë jokriminale, por me mjete organike dhe instrumentet e komunikimit human apo nëpërmjet forcës së ligjit, janë në radhë të parë produkt i gjendjes së shoqërisë shqiptare. E cila po kalon një situatë me parametra shumë shqetësues të nivelit të neurotizmit social, shfaqjeve të agresivitetit familjar dhe publik, marrëdhënie të acaruara në raport me shtetin dhe individin, me lidhje sociale të këputura, me një shtresë të përhapur të inkomunikabilitetit human, me dobësim të limfës sociale që garanton nivelet e duhura të socialitetit dhe sociabilitetit.

Nuk ka strukturë tjetër më “mëkatare” dhe përgjegjëse për këtë situatë. Shoqëria nuk është “epifenomen social” abstrakt, por një realitet ku ndërtohet natyra, sjellja dhe personaliteti i njeriut si qytetar. Jashtë saj dhe kundër ndikimeve të saj, njeriu nuk mund të bëhet dhe të jetë qytetar. Shoqëria është “fabrika” që prodhon kapital social të domosdoshëm për ndërtimin e lidhjeve humane, sociale e interpersonale të kulturuara e të qytetëruara.

Ajo është paradigma dhe mjeti që mund të ndikojë fort, në parandalimin, mënjanimin dhe përballimin e situatave që prodhojnë krim. Jashtë ndikimit social të shoqërisë, apo brenda indiferencës sociale në rritje, krijohen kushtet e përshtatshme për shfaqjen e njeriut me natyrë shtazore, i cili duke shpërdorur lirinë dhe autonominë, zhvillon brenda vetes pasione antihumane e shtazore, që e çojnë drejt sjelljeve dhe veprimeve kriminale.

Kjo është arsyeja që në mënyrë tejet inteligjente sociologu Zygmunt Bauman godet natyrën e njeriut që jeton në shoqëri, por që për shkak të deficitit edukativ dhe boshllëqeve të ndikimit social, ai shfaqet me “instinkte parashoqërore të njeriut kafshëror”, që kthehen në egoistë e mizorë, të pamëshirshëm ndaj lirive dhe të drejtave të “tjetrit”, të cilët ose duhen zbutur ose duhen mposhtur, në mënyrë që të mbrohet jeta e përbashkët shoqërore. Ai thotë në mënyrë të prerë: “Flakeni tutje shtrëngimin shoqëror dhe do ta shikoni se si njerëzit do të rrëshqasin mbrapsht në barbari…” Zygmunt Bauman, “Holokausti”, f 248

Beteja me krimin në shoqërinë tonë është ndërlikuar nga përzierja e faktorëve material, social e individualë. Në këtë kontekst, alarmi është së pari për të gjithë institucionet e parandalimit dhe edukimit, por edhe të ligjit dhe ndëshkimit ligjor, duke e kthyer luftën kundër krimit në “normë sociale detyruese” stabilizimin e shoqërisë dhe qytetërimit tonë. Beteja e vendosur me krimin është element, është condite sine qua non për rregullimin e qetësisë dhe paqes sociale në shoqëri, është veprim qytetarisht emancipues dhe moralisht e kulturalisht fisnikërues. Lufta kundër krimit, përballimi i valëve në zgjerim të kriminalitetit, nuk është një çështje subjektive apo dëshirë voluntariste. Ai është një nevojë urgjente, madje ulëritëse për imponimin e normave sociale si kusht për shëndoshjen e humanizmit social në shoqëri, duke frenuar pa asnjë lëshim sjelljet asociale, amorale, kriminale, çnjerëzore dhe potencialisht me rrezikshmëri të madhe shoqërore. Në shoqërinë tonë ka një tendencë retrograde, që shprehet në urrejtjen ndaj nevojës së edukimit qytetar, nënvleftësimin e institucioneve të formimit qytetar, gjë që po çon në trajtimin e relativizuar midis të mirës dhe të keqes, sjelljes brutale e kriminale dhe asaj humane e morale. Kjo situatë ka sjellë këto anomali, interpretime eksentrike të lirisë dhe individualizmit, shmangie brutale nga normat e përbashkëta të jetës sociale. Shoqëria është në situatë të vështirë nga që në institucionet fondamentale shfaqen qëndrime neglizhente, indiferente, të demotivuara për t’u përballur me këtë nivel të agresivitetit social dhe krimit banal, që po tentojnë t’i zënë frymën dhe të bëjnë krejt të papërdorshme “trysninë humane” dhe instrumentet shoqërizuese. Kjo mangësi tashmë është patologji e gjeneralizuar që ka përfshitë institucionet edukuese, dobësimin e strukturës dhe funksioneve të familjes, zgjerimin e enklavave të veseve parashoqërore dhe joshoqërore. Sepse në shoqëri janë dobësuar në nivele kritike roli i institucioneve të “industrisë morale”. “Fabrika morale” e shoqërisë është difektuar rëndë, madje ajo funksionon keq, dhe jep kundër produktivitet social, norma morale e qytetare difektoze pa ndikim as edukativ e as shtrëngues për rregullimin e sjelljeve me natyrë kriminale në shoqëri.

Koha kërkon qëndrim dinamik e sulmues ndaj krimit, sepse jemi në situatë shumë shqetësuese, kur po shtohet larmia dhe fenomenologjia e objekteve të krimit nga njëra anë, por edhe e subjekteve të larmishme të njerëzve të përfshirë në aktivitet kriminal. Që përbëjnë pjesën e “errët” të shoqërisë, që tentojnë të ndalojnë forcën morale dhe autoritetin e ligjit, që kanë tendenca sociopatike dhe i kundërvihen normave morale e humane të përbashkëta të shoqërisë, që synojnë të krijojnë kushtet e adoptimit dhe pranimit pasiv të kësaj situate nga shoqëria dhe qytetarët, që kanë tendencë të krijojnë një lloj solidariteti kriminal midis tyre, për të mposhtur pjesën e shëndetshme të shoqërisë, të zgjerojnë frikën individuale, indiferencën sociale, guximin qytetar për t’u përballur me këta njerëz të pamëshirshëm, sociopatë, që bëjnë keq, shfaqen mizorë, të përbindshëm. Ata me të gjitha mjetet duhen ndalur…/Gazeta Panorama