Kreu i Tearcës Memishi: Tejkaluam pengesat për hapjen e Çerdhes në Përshefcë

Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, ka reaguar ndaj deklaratave që, sipas tij, synojnë të krijojnë përshtypjen se komuna ka penguar hapjen e çerdhes së fëmijëve “Foleja” në Përshefcë.

Në reagimin publik, Memishi thekson se kur administrata aktuale mori përgjegjësinë për procesin, çerdhja përballej me probleme serioze administrative, juridike dhe financiare, të cilat e pamundësonin funksionimin e saj.

Ai bën të ditur se gjatë muajve të fundit janë ndërmarrë një sërë hapash konkretë, përfshirë rregullimin e sistematizimit të vendeve të punës, shlyerjen e obligimeve ndaj institucioneve shtetërore, deponimin e raporteve të paparaqitura, funksionalizimin e arkivit, përgatitjen e Statutit të ri dhe miratimin e Planit të Furnizimeve Publike.

Sipas Memishit, sigurimi i pëlqimit për punësimet e nevojshme dëshmon se procesi po ecën përpara dhe se pengesat e grumbulluara ndër vite po tejkalohen gradualisht.

“Prioriteti ynë është që Çerdhja ‘Foleja’ të hapë dyert sa më shpejt, në përputhje me ligjin dhe standardet e nevojshme, duke ofruar kushte cilësore për fëmijët dhe familjet e komunës sonë”, thuhet në reagimin e kryetarit të Komunës së Tearcës.
Memishi nënvizon se çerdhja nuk do t’i shërbejë asnjë partie politike, por ekskluzivisht fëmijëve dhe interesit të tyre më të lartë.