Kreu i NATO-së Rutte, të martën vjen në Shkup

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të zhvillojë vizitë zyrtare në vend të martën (3 mars), transmeton Portalb.mk.

Rutte do të pritet nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova. Ai është planifikuar gjithashtu të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Parlamentit Afrim Gashi. Rutte do të marrë pjesë edhe në një stërvitje demonstruese të Armatës.

Kjo është vizita e parë e Rutte si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në Shkup. Ai ishte në vend në nëntor 2021 si kryeministër i atëhershëm i Holandës.

Në vitin 2023, Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, zhvilloi vizitë zyrtare në Maqedoni.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka mbushur mbi 5 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.

Në kohën kur vendi përpiqet të arrijë 2 përqindëshin, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte deklaroi se anëtarët e aleancës së shpejti do të diskutojnë rritjen e objektivave të shpenzimeve të mbrojtjes përtej 2% të PBB-së aktuale, pasi ky nivel është i pamjaftueshëm për të garantuar sigurinë afatgjatë, tha Rutte në një konferencë shtypi pas një takimi ministror të NATO-s në Bruksel. Rutte theksoi se nevoja për shpenzime më të larta të mbrojtjes tejkalon kritikat e mëparshme të presidentit amerikan Donald Trump për kontributet e mbrojtjes të Evropës.