Kreu i CIA-s: Një ushtar rus mbijeton deri në 30 minuta në front

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), John Ratcliffe, deklaroi se një ushtar rus i sapombërritur në vijën e frontit në Ukrainë mbijeton mesatarisht vetëm 20 deri në 30 minuta, duke e lidhur këtë me përdorimin në rritje të dronëve ukrainas të pajisur me inteligjencë artificiale.

Ratcliffe i bëri komentet gjatë Samitit për Mbrojtjen dhe Inovacionin në Pensilvani, ku tha se vlerësimi i inteligjencës amerikane përputhet me raportimet e publikuara nga burime të hapura.

“Vlerësimet tona të inteligjencës janë në përputhje me disa nga raportimet që mund të keni parë. Jetëgjatësia mesatare e një rekruti rus, pasi mbërrin në fushëbetejë në Ukrainë, vlerësohet të jetë mes 20 dhe 30 minutash”, tha Ratcliffe.

Sipas tij, kjo lidhet me zhvillimin e dronëve të pajisur me inteligjencë artificiale.

“Dronët me inteligjencë artificiale janë shndërruar në mjete vrasëse shumë të specializuara dhe me kosto të ulët. Kjo është një nga arsyet pse lufta ka hyrë tashmë në vitin e pestë”, shtoi ai.

Ndërkohë, Ukraina pretendon se Rusia ka humbur rreth 1.4 milionë ushtarë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë, me më shumë se 1 mijë ushtarë rusë të vrarë ose të plagosur çdo ditë.

Edhe një analizë e publikuar këtë muaj nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) arrin në përfundimin se humbjet mujore të Rusisë në fushën e betejës, rreth 30 mijë ushtarë, tejkalojnë ritmin e rekrutimeve, të vlerësuar në 27 mijë në muaj.

Ratcliffe deklaroi gjithashtu se Rusia ka arritur të marrë nën kontroll vetëm rreth 1 për qind të territorit të Ukrainës gjatë 18 muajve të fundit.

“Ritmi i përparimit të tyre është ndalur për shkak të aftësisë së Ukrainës për të zotëruar teknologjitë e reja”, tha drejtori i CIA-s.