Krerët e shtetit të Kosovës zotohen për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës janë zotuar se do të bëjnë çmos për të zbardhur fatin e personave të pagjetur në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albon Kurti bën homazhe te memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.

Kosova të martën shënon Ditën Kombëtare të të Pagjeturve.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se “shteti serb ishte përgjegjes për gjenocidin, vuajtjet dhe krimet që ia shkaktoi popullatës shqiptare, prandaj është obligim i çdo zyrtari të bëjë çmos që drejtësia të ndodhë dhe të vie në vend pasi nuk mund të ketë qetësi pa drejtësi në Kosovë”.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “gjenocidi në Kosovë është e vërteta e Serbisë si shtet”.

“Si kryeministër bashkë me presidenten dhe kryetarin e Kuvendit jemi zotuar se do të bëjmë krejt çka mundemi e dijmë që të jemi pranë këtyre familjeve, por edhe të ndihmojmë në sjelljen e drejtësisë për gjetjen e së vërtetës”, tha Kurti, i cili bëri thirrje që ekzekutorët dhe urdhërdhënësit e masakrave të panumërta të sjellën para drejtësisë, të akuzohen, gjykohen e dënohen.

Përfundimi i luftës në Kosovë, në vitin 1999, rezultoi me evidentimin e 6 mijë e 50 personave të pagjetur.

Rreth 70 për qind të këtyre personave, tashmë janë gjetur në varrezat masive në Kosovë dhe Serbi, ndërkaq që fati dhe vendndodhja edhe e 1 mijë e 650 personave të tjerë, kryesisht shqiptarë, por edhe të komuniteteve tjera, mbeten të pandriçuara.