Kremlini: Ukraina duhet të çmilitarizohet

Kremlini ka thënë më 24 shkurt se qëllimi i pushtimit rus në Ukrainë është “çmilitarizimi dhe denazifikimi i Ukrainës”.

Më herët gjatë së enjtes, presidenti rus, Vladimir Putin ka arsyetuar pushtimin e Ukrainës, duke thënë se Moska do të tentojë të çmilitarizojë dhe të “denazifikojë” Ukrainën, duke përsëritur akuzat e tij të pabaza, të bëra në një fjalim më 21 shkurt, se Qeveria ukrainase është “neo-naziste” që synon të ketë armë bërthamore.

“Ukraina duhet të çlirohet dhe të pastrohet nga nazistët, personat me orientime dhe ideologji naziste”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov para gazetarëve në Moskë.

Ai ka refuzuar të japë më shumë detaje kur një gazetar e ka pyetur nëse konsideron që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy dhe Qeveria e tij janë “nazistë”.

Duke sqaruar çfarë nënkupton çmilitarizimi, Peskov ka thënë se ky proces është “neutralizim i potencialit ushtarak, që së fundi është rritur edhe për shkak të përpjekjeve aktive të shteteve të huaja”.

Duke iu përgjigjur pyetjes se sa thellë planifikon të hyjë Rusia në Ukrainë, Peskov ka thënë se nuk mund të japë informacione lidhur me ushtrinë, teknologjinë dhe elemente tjera të operacionit.

“Burimi i vetëm për ato të dhëna është institucioni ynë i mbrojtjes, ushtria jonë”.

“Kushtet e operacionit do të definohen nga efikasiteti, dhe natyrisht do të përcaktohen nga komandanti suprem”.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e kanë paralajmëruar sanksione të ashpra kundër Moskës.