Krasniqi uron Pavarësinë me mesazhet e Thaçit dhe Veselit: Historia e Kosovës s’mund të rishkruhet nga askush (VIDEO)

 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Ai ka dhënë edhe mesazhin ‘’Zoti e bekoftë Kosovën’’, me rastin e 14 vjetorit të shpalljes së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, përcjell Klankosova.tv.

Të njëjtin dedikim ai e ka shoqëruar edhe me një video emocionale, ku përfshihen proceset dhe personazhet historike të çlirimit dhe pavarësimit të shtetit të Kosovës, nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komandanti Legjendar Adem Jashari, nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë dhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

Në videon e publikuar nga Krasniqi, janë spikatur deklaratat e liderëve historikë të PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Në një paraqitje publike më 1999, Kadri Veseli atëherë udhëheqës i Shërbimit Informativ të Kosovës thoshte:

”Kemi një qëllim të vetëm, pavarësinë e Republikës së Kosovës”

Tutje, shfaqet momenti i Deklaratës së Hashim Thaçit në vitin 2008:

“Shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”.

Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi përmes videos ka rikujtuar mesazhet e Veselit dhe Thaçit se ‘bashkë e kemi ndërtuar shtetin dhe historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet nga askush’.

”Duke qenë bashkë ia kemi dalë të realizojmë atë që dukej e pamundur, lirinë dhe shtetin e Kosovës. Ëndrrën shekullore të krejt angazhimit tonë historik që duhet t’ia njohim peshën”, kishte thënë Kadri Veseli si kryetar i PDK-së.

”Historia e lavdishme e luftës çlirimtare dhe shtetformimit të Kosovës së pavarur, demokratike dhe europiane nuk mund të rishkruhet nga askush”, ishte mesazhi i Hashim Thaçit si President i Kosovës.