Krasniqi u kërkon liderëve partiakë të shpërndajnë Kuvendin

Memli Krasniqi, kryetari i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, tha se përmes një letre dërguar krerëve partiakë në pushtet dhe opozitë, ka kërkuar që zgjedhjet e reja parlamentare të mbahen sa më shpejt.

Krasniqi tha se u ka dërguar letër kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradianj, për të koordinuar hapat që të shpërndahet Kuvendi i Kosovës në mënyrë vendi të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese, për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj. Andaj, edhe sot, unë i ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi e të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundi ka mbajtur takime me përfaqësuesit e partive politike parlamentare për të diskutuar për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja. Sipas tij, zgjedhjet do të ishte mirë që të mbaheshin në pranverë ose në vjeshtën e këtij viti.

Por, partitë ende nuk kanë gjetur pajtim për formën se si të shkohet në zgjedhje.

PDK-ja kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, e cila paraprakisht kërkon mbledhjen e 40 nënshkrimeve për mocionin, i cili pastaj duhet të votohet nga 80 ligjvënës.

LDK-ka kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shkarkimit të Qeverisë apo dorëheqjes së saj dhe pastaj shpërndarjen e Kuvendit. Kërkesë të ngjashme ka edhe AAK-ja.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së ekzekutivit aktual.

Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar.