Krasniqi pas takimit: PDK mbështet Kurtin për vazhdimësinë e sovranitetit në veri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka folur për mediat pas përfundimit të takimit me kryeministrin Albin Kurti, në lidhje me situatën në veri.

Krasniqi u shpreh se forca politike që ai drejton, do të mbështesë qeverinë e Kurtit për të garantuar vazhdimësinë e sovranitetit në katër komunat në veri me shumicë serbe.

“Ia kam shprehur shqetësimin e madh në lidhje me situatën në pjesën veriore të vendit, sepse aty kemi hyrë në një fazë ku nuk ka një epilog të qartë, ndërsa potencialin për përkeqësim apo përshkallëzim e ka të madh. Më vjen mirë që ka reflektuar dhe ka thirrur këtë takim mëngjesin e sotëm, ku patëm diskutim rreth asaj si është situata. Por isha i interesuar të dëgjoja për planet e ardhshme të qeverisë për ta menaxhuar këtë situatë. Nuk mund të them se dola me siguri të madhe se qeveria e di se në çfarë drejtimi duhet shkuar. Ja shpreha qëndirmin e PDK-së se Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme, i duhen veprime që e ruajnë shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Sa i përket vazhdimësisë së sovranitetit në katër komunat e Kosovës, qeveria duhet të marrë veprimet që i takojnë dhe për këtë do ketë përkrahjen e PDK-së”, theksoi ai.