Krasniqi: Nuk jemi kundër Asociacionit!

Pas takimit më emisarin e BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka mbajtur një konferencë për media. Krasniqi ka deklaruar se para emisarit të BE-së, ka shfaqur shqetësimet që partia e tij i ka lidhur më marrëveshjen e 18 marsit.

‘’Zotëri Lajçak, ja shpreha edhe njëherë qëndrimin e Partisë demokratike të Kosovës, rezervat të cilat i kemi sa i përket marrëveshjes, për arsye të cilat i kemi diskutuar edhe në të kaluarën. Ne kemi qenë mbështetës të dialogut edhe në të kaluarën, duke pritur një marrëveshje finale e cila sjell një njohje të ndërsjellët, ky ka qenë gjithmonë qëndrimi ynë por edhe i partnereve ndërkombëtare’’- ka deklaruar Krasniqi.

I pari i PDK-së, ka deklaruar se nuk është i kënaqur më marrëveshjen e cila i është prezantuar. ‘’Fatkeqësisht ajo që kemi sot në tavolinë është një marrëveshje e përkohshme jo më njohje të ndërsjellët por me asociacionin në qendër padyshim se ne nuk mund të flasim për produktin aktual pa diskutuar për rrugën si kemi mbërritur këtu. Përgjegjësia e Kurtit, është direkte për faktin që për dy vite ai e ka humbu mundësinë për të bindur mbështetësit tanë për të na mbështetur në realizimin e qëllimeve tona.’’- tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, qëllimi themelor dhe kryesor i dialogut ka qenë gjithmonë njohja e ndërsjellët. ‘’Sot nuk kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, nuk kemi një marrëveshje finale, sot nuk kemi një njohje të ndërsjellët. Sot kemi një marrëveshje të përkohshme.

Sot e kemi Asociacionin të cilin nuk e kundërshtojmë sepse nuk e kemi kundërshtuar as më herët sepse ai edhe kur të themelohet duhet të jetë në pajtim më Kushtetutën e Kosovës pa dyshim, por kemi nene te caktuar në marrëveshje që rrezikojnë përtej Asociacionit, e çka është me e keqja edhe përtej Kushtetutës…’’- ka deklaruar ai.