Krasniqi: Nëse duam unitet në Kosovë, Ramush Haradinaj duhet të bëhet president, jo Vjosa Osmani

Dardan Krasniqi ka folur për Kosova Live lidhur me zgjedhjen e presidentit/es të ardhshëm dhe ka deklaruar se opozita nuk duhet ta votojë Vjosa Osmani për presidente.

Sipas Krasniqit, Osmani nuk ka mbajtur një qëndrim të barabartë ndaj të gjithë qytetarëve, ndërsa ka theksuar se një udhëheqje e ndikuar nga egoja dhe inatet personale nuk mund të funksionojë si figurë unifikuese për vendin. Ai ka përmendur gjithashtu disa nga deklaratat e saj publike, duke i cilësuar si të papranueshme për një presidente.

Në anën tjetër, Krasniqi ka vlerësuar lart Ramush Haradinaj, duke theksuar përvojën e tij politike, partneritetet ndërkombëtare dhe vizionin për Kosovën. Sipas tij, nëse opozita synon stabilitet institucional, unitet dhe shmangien e zgjedhjeve të parakohshme, Haradinaj është personaliteti i duhur për postin e presidentit.

“Mendoj se partitë opozitare, nëse nuk duan ta çojnë vendin në zgjedhje dhe nëse synojnë t’i ofrojnë Kosovës institucione me njerëz kredibilë për udhëheqje, duhet ta mbështesin z. Haradinaj si kandidat për president. Nëse duam institucione të konsoliduara, stabilitet, qetësi politike, përfaqësim gjithëpërfshirës dhe unitet në këtë fazë të rëndësishme për vendin, Haradinaj është personaliteti i duhur dhe i domosdoshëm, jo zonja Osmani,” ka thënë Krasniqi.