Krasniqi: M’i lidhët duart dhe më kontrolluat si të jem kriminel, unë jam intelektual

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi ka thënë në Gjykatën Speciale se po trajtohet si kriminel, duke i cilësuar padrejtësi të madhe akuzat ndaj tij.

Krasniqi ka thënë se është arsimuar që të jetë mësues, por është detyruar të luftojë kundër Serbisë. Ai tha se ndaj njerëzve ka pasur gjithmonë qëndrim njerëzor, raporton Gazeta Express.

“Unë po i kuptoj ata njerëz dhe këta që janë këtu se si sillen me mua. Mendojnë që edhe unë jam përnjëmend kriminel. Jo, unë jam intelektual, jam arsimuar për me qenë mësues, por jam detyruar të luftojë kundër Serbisë. Ama ndaj njerëzve gjithmonë kam pasë qëndrim njerësor. Unë as kaq të padrejtë sa më kanë bë prej burgut deri këtu, duke m’i lidhë duart, duke më kontrolluar dhjetëra herë…Keni procedura që mund të jenë të përshtatshme për kriminelë, por jo për mua”, ka thënë Krasniqi.

Ish-kryeparlamentari ka treguar se ka dëshmuar dy herë në Tribunalin e Hagës për krimet në ish-Jugosllavi, ndërsa tha se do të dënohej po të kishte diçka inkriminuese.

“Ju e dini që në ish-Jugosllavi ka pasë një Tribunal. Unë dy herë kam qenë dëshmitar në Tribunalin e Hagës dhe po të kishte një fakt të inkriminuar, Tribunali i Hagës do të më dënonte. Unë e shoh këtë si përpjekje të fundit. Akademia e shkencave e Serbisë e ka bë këtë përpjekje dhe ia arriti qëllimin. Nuk ka njeri që s’e di kush ka bë krime në Kosovë. Dhe kjo më dhemb, më dhemb shumë sepse është padrejtësi e madhe”, ka deklaruar Krasniqi. /GazetaExpress/