Krasniqi i prerë: PDK nuk pranon asnjë ide për bashkëpunim me LVV-në

Ka nisur konventa e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi foli edhe për situatën aktuale të krijuar, ku vendi ka mbetur pa krijuar institucione të reja.

“Vendi ynë për më shumë se katër muaj po mbahet peng i një partie që ndonëse ka dalur e para në zgjedhje, ka humbur legjitimitetin për të qeverisur. Ne si PDK kemi qëndruar me dinjitet në këtë periudhë, duke vendosur interesin e qytetarëve mbi të gjitha. E themi edhe sot, nuk do të votojmë asnjë kandidat për kryetar Kuvendi që ka qenë pjesë e Qeverisë së kaluar, sepse besojmë se Kosova nuk mundet me ec përpara me ata që e kthyen prapa vendin”, tha Krasniqi.

Sipas tij, me udhëheqjen e LVV-së ka pasur vetëm regres.

“Prandaj, PDK vazhdon t’i thotë jo, çdo ide për bashkëqeverisje me partinë që e ka sjell Kosovën në këtë gjendje”

Krasniqi po ashtu ka folur edhe për udhëheqjen që ai ka bërë me PDK-në për katër vite.

“Sot më shumë se kurrë besoj se e ardhmja e partisë është nga ajo që bëjmë së bashku, e jo veç e veç. Kur jemi të bashkuar jemi të pandalshëm. Më 9 shkurt e pamë, se kur jem bashkë rritem e ngritëm”, potencoi ai.

Konventa e PDK-së ka nisur rreth orës 12:00./Telegrafi/