KQZ-ja kontrakton sërish kompaninë që printoi me gabime fletëvotimet për balotazh

Kompania sllovene që printoi me gabime fletëvotimet e balotazhit të 9 nëntorit është përzgjedhur sërish nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetor.

Kompania CETIS për zgjedhjet e parakohshme do t`i printojë fletëvotimet dhe broshurat e kandidatëve për deputetë.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, që figuron në faqen “e-prokurimi”, vlera e kontratës është mbi 275 mijë euro.

KQZ-ja ka thënë se ftesa për ofertim u është dërguar 6 operatorëve ekonomikë dhe ka pranuar vetëm “një ofertë administrativ të përgjegjshme nga grupi Cetis & Cetkos”.

“Në këtë aktivitet të prokurimit ftesa për ofertim u është dërguar gjithsej 6 operatorëve ekonomikë (4 vendorë dhe 2 të huaj). Kemi pranuar vetëm një ofertë administrativisht të përgjegjshme nga grupi i operatoreve ekonomik Cetis & Cetkos, dhe pas një procesi të vlerësimit është shpërblyer me kontratë ky operator ekonomik si ofertues i vetëm. Vlera e kontratës është: 275,742.40€”, thuhet në përgjigjen e KQZ-së për KOHËN.

Sa i përket masave që KQZ-ja ka ndërmarrë ndaj kompanisë e cila ka printuar fletëvotimet me gabime për balotazhin e zgjedhjeve lokale, KQZ-ja ka thënë se “janë realizuar dënime në ekzekutim për operatorin ekonomik për fletëvotimet e shtypura me gabime teknike”.

KQZ-ja po ashtu ka thënë se janë ndërmarrë masat për evitim të gabimit.

“Para procesit të prokurimit, KQZ ka miratuar specifikimet teknike të fletëvotimeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas këtyre specifikimeve, në hapësirën e fletëvotimit ku shkruhet kodi i vendvotimit, do të shtypet dhe një QR Code, që do të shërbejë për identifikimin digjital të kodit të vendvotimit. Gjithashtu, është kërkuar nga OE që gjatë shtypjes së variablave të rritet niveli i kontrollit dhe kjo do të dokumentohet gjatë gjithë procesit”, është thënë nga KQZ-ja.

Fletëvotimet e printuara me gabime nxitën diskutime të shumta e dyshime për keqpërdorim të votave, sidomos në komunën e Mitrovicës.

Shkaku i gabimeve, KQZ-ja formoi një komision vlerësues për fletëvotimet edhe nga komunat e tjera.

E ky institucion pranoi edhe një raport nga vet kompania, në të cilën është evidentuar se 1874 fletëvotime, të shpërndara në 18 komunat ku është zhvilluar rundi, janë printuar me gabime.