KQZ certifikon rezultatet, Vetëvendosje merr 50.28 % (VIDEO)

Hedhja poshtë e ankesave të partive politike nga Gjykata Supreme i liroi rrugën Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë certifikimin e rezultateve finale të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Përfundimisht, Lëvizja Vetëvendosje doli fituese ngase mori gjysmën e votave në krejt Kosovën. Ajo u radhit e para me 50.28 % pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17 %.

Lidhja Demokratike e Kosovës mori vetëm 12.7 % të votave, rezultat ky që është më i dobëti që prej ekzistencës së kësaj partie.

Vendin e katërt e zuri Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7 %, derisa Nisma Socialdemokrate nuk arriti ta kalojë pragun me vetëm 2.5 % të votave të fituara.