Dje, Komiteti Qendror i VMRO-DPMNE-së miratoi një sërë vendimesh të rëndësishme në kuadër të përgatitjeve për Kongresin e rregullt të partisë, i cili do të mbahet më 6 dhjetor në Kavadar. Gjatë mbledhjes u aprovua zgjedhja e mbi 800 delegatëve, ndërsa sekretari i përgjithshëm, Gjorgjia Sajkoski, u autorizua të finalizojë listën përfundimtare në përputhje me statutin e partisë. Po ashtu, u formua komisioni organizativ përgjegjës për përgatitjen dhe mbarëvajtjen e Kongresit.
Një nga vendimet më të rëndësishme ishte shkarkimi i Ilija Stoilev nga posti i kryetarit të Komitetit Komunal në Sveti Nikollë, pas një rasti të evidentuar të keqpërdorimit të mjeteve financiare. Gjithashtu, Komiteti shkarkoi edhe Goce Stoilovskin nga drejtimi i Komitetit Komunal në Maqedonska Kamenicë.
Në mbledhje u diskutua edhe mbi rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale, ku VMRO-DPMNE siguroi fitore bindëse. Përfaqësuesit e partisë theksuan se ky sukses zgjedhor përcjell përgjegjësi të reja për realizimin e premtimeve të dhëna qytetarëve.






