“Kovid-19”, Deskoska ndau përvojën me ministrat e vendeve evropiane

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska përmes një videokonference me kolegë të saj nga disa shtete evropiane ka ndarë përvoja në lidhje me menaxhimin e situatës me Kovid-19, të cilat para së gjithash, kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor dhe atë të burgjeve.
Nga Ministria e Drejtësisë bënë të ditur se ajo në paraqitjen e saj, ka theksuar se masat të cilat dikasteri i drejtësisë i ndërmerr, janë masa dhe vendime të cilat në masë të madhe janë identike me ato të shteteve evropiane.

“Deskoska potencoi se sa i përket veprimeve në gjykatat dhe prokuroritë, Republika e Maqedonisë së Veriut i ka shfrytëzuar përvojat nga Austria, sipas të cilave gjykatat dhe prokuroritë veprojnë vetëm për lëndët urgjente dhe ato për të cilat ekziston rrezik për tu vjetërsuar”, bënë të ditur nga Ministria.

Në videokonferencë kanë marrë pjesë ministrja austriake e Drejtësisë, Alma Zadiq, ministrja shqiptare e Drejtësisë Etilda Gjonaj, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë së Serbisë dhe e Bosnjës dhe Hercegovinës, drejtori i Departamentit për BE dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës, Rob Hujser, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë së Italisë dhe Francës.