Kovaçevski: Qytetarët presin që të jemi efikas, po e realizojmë atë që premtuam

Qytetarët presin efikasitet nga ne dhe për këtë po e realizojmë atë që premtojmë, shkruan në profilin e tij në Facebook kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri shkruan se në një periudhë shumë të shkurtër, në një krizë të thelluar, qeveria arriti të pajtohet për një rritje rekord të pensioneve në historinë e Maqedonisë së Veriut.

Poashtu, siç tha ai, Qeveria në tre muajt e ardhshëm ka dhënë ndihmë direkte financiare prej 1.000 denarëve për secilin pensionist dhe me këto masa pensionistët do të kenë mesatarisht gati 200 euro më shumë në buxhetin e brendshëm për vitin 2022.

“Paga minimale prej 18.000 denarëve është realitet. Por më e rëndësishmja, ajo do të rritet vazhdimisht pa pasur nevojë për ndërhyrje shtesë. Tashmë, dy paga minimale mund të mbulojnë shportën e sindikatës, gjë që nuk ishte rasti vetëm pesë vjet më parë, kur nevojiteshin më shumë se katër paga minimale për ta mbuluar atë. Në një vit plot sfida dhe krizës ekonomike në thellim, përmes strategjisë së duhur kemi drejtuar të gjitha burimet dhe energjinë në mbështetje të ekonomisë dhe qytetarëve”, ka shkruar kryeministri Kovaçevski.

Kryeministri theksoi se kujdesi për standardin jetësor të qytetarëve, veçanërisht të atyre më të cenuarve, është një nga prioritetet kryesore të kësaj qeverie.