Kovaçevski: Nuk pranoj shantazhe, zgjedhje në 2024! VMRO-DPMNE akuzon se Kovaçevski dëshiron vetëm ta mbajë pushtetin

Kryeministri Dimitar Kovaçevski iu përgjigj kushtit që e vendosi kryetari i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, i cili tha se ose do të ketë zgjedhje të parakohshme ose do ta bllokojnë Kuvendin. Kovaçevski në emisionin e mbrëmshëm të TV21 “Klik Plus” tha se zgjedhje do të ketë, por në vitin 2024.

“Ne kemi Qeveri e cila ka legjitimitet të plotë, mbështetje nga shumica në Kuvend. Zgjedhje do të kemi në 2024-tën, edhe presidenciale, edhe parlamentare. Opozitës i mbetet që në atë periudhë së pari të dëshmojë se kujdeset për qytetarët. Jo se dikush nga koalicioni qeverisës në këtë moment ka frikë nga zgjedhje të parakohshme, por VMRO-DPMNE-ja dhe kryetari i saj frikësohen nga zgjedhjet e rregullta në vitin 2024”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Këto ditë, Mickoski i dërgoi mesazh kryeministrit se ka afat deri më 10 maj që të merren vesh për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa akuzoi se ardhmëria e shtetit po planifikohet në Reçicë të Vogël. Por, Kovaçevski kërkesat e Mickoskit i quajti shantazhe të cilat, siç tha, nuk do t’i pranojë, duke shtuar se vendimet e Qeverisë po sillen në seancë, e jo në Reçicë të Vogël.

“Vendimet e Qeverisë sillen në seancat qeveritare. Të gjitha vendimet e Qeverisë janë bërë në mënyrë stenografike dhe të gjitha procesverbalet e Qeverisë janë të qasshme për opinionin publik, pasi kjo është Qeveria më e hapur që nga themelimi i shtetit. Në seancat e Qeverisë, në mënyrë të barabartë marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit e partnerëve të koalicionit. Nuk mund të thuhet se dikush shkon diku për t’i sjellë vendimet e Qeverisë. Të gjitha vendimet qeveritare merren në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut”- pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Lidhur me bllokadën e paralajmëruar, me qëndrim doli edhe njeriu i parë i BDI-së, Ali Ahmeti. Bojkoti dhe bllokada nuk ka çojnë përpara, thotë ai.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se Kovaçevski sillet në mënyrë destruktive dhe se ai e ka çuar vendin në krizë, duke dashur ta mbajë pushtetin.

“Kovaçevski po e shtyn Maqedoninë në humnerë, vetëm për ta mbajtur pushtetin. Kovaçevski ka sjellje destruktive, për shkak të tij dhe LSDM-së, në vend ka disa kriza, kurse populli është gjithnjë e më i varfër. Ai nuk ka ide se si ta nxjerrë vendin nga ngërçi në të cilin na ka futur dhe me këmbëngulje dëshiron të qëndrojë në pushtet dhe ikë nga zgjedhje. Kovaçevski dhe LSDM-ja duhet të kuptojnë se dalja e vetme nga kriza janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Vetëm në këtë mënyrë shteti do të arrijë të ketë një Qeveri të fortë të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Dje, edhe Lëvizja Besa paralajmëroi se me dy deputetët e saj do t’i bashkëngjiten bllokadës aktive të Kuvendit. Nga BDI-ja, paralajmërimin e VMRO-DPMNE-së e vlerësuan si dhunë ndaj institucioneve.