Kovaçevski në Bruksel pa ndryshimet kushtetuese

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot në Samitin Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor në Bruksel shkoi pa ndryshimet kushtetuese, shkruan TV21. Kovaçevski para mediave tha se nëse të gjithë aktorët politikë në vend do të ishin të qëndrimit të njëjtë me koalicionin qeverisës, sot vendi do të merrte dritë jeshile për hapjen e kapitujve në negociatat për anëtarësim në BE.

“Nëse do të kishin deri sot të gjithë aktorët politikë qëndrim siç ka koalicioni qeverisës, atëherë sot do të kishim situatë tjetër këtu, tashmë do të flisnim për hapjen e kapitujve dhe klasterëve, megjithatë, gjithsesi se ky diskutim do të vazhdojë, procesi do të vazhdojë dhe në mënyrë të pashmangshme do të përfundojë me hyrjen e Maqedonisë së Veriut në BE”, tha Kovaçevski.

I pyetur nëse Maqedonia e Veriut do të ndahet nga Shqipëria në rrugën drejt BE-së, Kovaçevski tha se i dëshiron fat secilit shtet që synon BE-në.

“Unë jam njeri që i mbështet integrimet europiane të të gjitha vendeve në Ballkanit Perëndimor dhe për këtë i dëshiroj sukses të gjithëve në rrugëtimin e tyre dhe integrim të plotë”, pohoi Kovaçevski.

I pari i ekzekutivit tha se pikërisht sot opozita po punon kundër anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.

“U konfirmua edhe diçka që është e saktë se në vendin tonë kemi dy blloqe. Një bllok europian që punon për anëtarësim të vendit në BE dhe kemi bllokun e dytë, që pikërisht sot shihet se punon kundër anëtarësimit të vendit në BE, ndërsa më parë punonte kundër anëtarësimit të vendit në NATO”, theksoi Kovaçevski.

Kovaçevski nuk u përgjigj konkretisht nëse Qeveria aktuale do të arrijë të miratojë ndryshimet kushtetuese deri në fund të këtij Mandati, por premtoi se reformat dhe përpjekjet do të vazhdojnë, deri në anëtarësimin e plotë të vendit në Unionin Europian./tv21.tv