Kovaçevski kërkon që komunat dhe ndërmarrjet të anulojnë kontratat e punës, të kursejmë…

“Duhet të bëhet analizë nëse ndërmarrjet publike kanë nevojë për të gjithë punëtorët në këtë moment apo nëse disa prej tyre mund të dërgohen me pushime për të kursyer energji”, ka paralajmëruar mbrëmë kryeministri Dimitar Kovaçevski në një intervistë në TV24.

“Ka ndërmarrje publike në të cilat ka një numër të madh të të punësuarve. Ata duhet të analizojnë nëse kanë nevojë për të gjithë njerëzit në çdo kohë apo nëse disa prej tyre mund të shkojnë me pushime, për të kursyer energji”, theksoi Kovaçevski, përcjell INA.

Ai përkujtoi se Qeveria ka marrë një vendim dhe ka udhëzuar ndërmarrjet publike dhe institucionet dhe agjencitë shtetërore që të ulin shpenzimet.

“Do të rishikohen edhe kontratat e menaxhimit të ndërmarrjeve publike, sepse kemi vërejtur shuma shumë të mëdha, veçanërisht në ndërmarrjet që kanë humbje”, tha Kovaçevski.

Kryeministri shtoi se përveç ndërmarrjeve publike, edhe komunat do të duhet të rregullojnë mënyrën e punës dhe të ulin kostot për të përballuar pasojat e krizës.

“Jemi dëshmitarë se pushteti lokal në Shkup akuzoi njëri-tjetrin se pa nevojë kanë punësuar 100 persona me kontratë pune. Njëqind veta, me një kosto 1000 euro do të thotë paga neto, plus kontributet, plus shërbimet e kontabilitetit, mirëmbajtja e energjisë elektrike që ata përdorin dhe shpenzimet e tjera që bëjnë, pra është 1000 euro, për shembull marrë mesatarisht, për 100 persona është është 100 mijë euro. Dhe 100 mijë euro nuk është shuma e faturës së energjisë elektrike. Kështu që ndërmarrjet publike lokale dhe vetëqeverisjet lokale do të duhet të funksionojnë në mënyrë që të pajtohet me praktikat më të mira të menaxhimit në kushte krize. Por, edhe nëse nuk është krizë, duhet të sillemi ashtu”, tha Kovaçevski.

Kryeministri tha se në kuadër të paketës së fundit të masave, objektet e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme, si dhe disa prej kompanive publike të ujësjellësit do të kalojnë në tregun e rregulluar të energjisë elektrike, në mënyrë që puna e tyre të mos jetë vënë në pikëpyetje në muajt e ardhshëm.