Kemi edhe kapacitete edhe institucione që janë mjaft të afta me staf profesional që mund t’i përfundojnë negociatat dhe që do të na mundësojnë që deri në vitin 2030 të bëhemi anëtarë të BE-së. Por, natyrisht, kjo do të thotë se përkushtimi për zgjidhjen e problemeve me korrupsionin, me gjyqësorin dhe prokurorinë do të jetë objekt i shqyrtimit dhe analizës nga BE-ja, thotë kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistën për MIA-n.
“Gjyqësori është një autoritet i pavarur, une as nuk dua dhe as lejoj ndërhyrje në punën e tyre. Qeveria, në kuadër kompetencave të saj, siguron dhe do të vazhdojë të sigurojë kushte për funksionimin e qetë dhe të pavarur të gjyqësorit, por ne të gjithë së bashku si shoqëri duhet të japim kontributin tonë në zgjidhjen e korrupsionit dhe kutpohet të sigurojmë që gjyqësori në tërësi të gjejë zgjidhje e cila do të jetë sipas standardeve dhe parimeve më të larta demokratike dhe e cila do të sigurojë si sot ashtu edhe në të ardhmen pavarësi dhe integritet të pacenueshëm në punë”, thotë Kovaçevski.
Kovaçevski thekson se ajo që është e rëndësishme për ta si Qeveri është që të hiqet nga diskursi publik çështja për ndikimin politik apo partiak ndaj gjyqësorit.
“Prandaj apelojmë që sa më shpejt të sigurohet hapësira nga organet e drejtësisë për gjetjen e një zgjidhjeje demokratike, sistematike që do të sigurojë avancimin afatgjatë të shtetit të së drejtës. E gjithë kjo sigurisht që nuk do të jetë një proces i shkurtër, por ne, nëse duam të jemi vend-anëtar i BE-së, thjesht duhet ta bëjmë dhe ne si Qeveri do të punojmë me përkushtim për të krijuar kushte”, theksoi ai.
Kryeministri vlerëson se vendi ka kapacitete për negociata dhe kapacitete për të zbatuar reforma në të gjitha fushat.
“Në 10 muajt e kaluar kemi bërë progres historik, nuk kemi qëndruar në vend siç ka qenë për 11 vjet me VMRO-DPMNE. Edhe para se të fillonim negociatat, ne kishim 45 për qind harmonizim me legjislacionin e BE-së, kjo nuk është e rastësishme sigurisht, është produkt i punës së palodhur dhe të përkushtuar të institucioneve. Kjo Qeveri dhe ne si politikanë të përgjegjshëm nuk kemi vetëm angazhime deklarative për ta parë vendin në BE. Në disa raste kemi treguar në veprim se si funksionojnë gjërat kur mbahen parasysh qëllimet strategjike të shtetit. Pas 11 vitesh bllokadë, ne jemi vend-anëtar i NATO-s dhe kemi filluar negociatat me BE-në”, thotë ai.