Kovaçevski: As unë, as ndonjë ministër, nuk është përzier në punën e gjyqësorit!

-As unë si kryetar i Qeverisë, as ndonjë ministër, nuk përzihet në punën e Këshillit Gjyqësor apo të Këshillit të Prokurorëve. Organet e jurisprudencës duhet të jenë në nivel në të cilin do ta kryejnë punën e tyre dhe nuk do të kenë kurrfarë ndikimi politik. Nëse dikush iu është përzier në punë, ata vetë duhet ta paraqesin përmes procedurës adekuate, deklaroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski i pyetur për shkarkimin e kryetares së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva.

Kovaçevski e përkujtoi kumtesën e ministrit të Drejtësisë lidhur me këtë rast dhe përmendi se e ndan qëndrimin e njëjtë. Ministri në suaza të kompetencave të veta në Ministrinë e Drejtësisë kërkoi të shihet procesverbali i mbledhjes.

“Unë që nga dita e parë kur u bëra kryetar i Qeverisë thashë se as unë si kryetar, as cili do ministër, nuk përzihet në punën e Këshillit Gjyqësor apo të Këshillit të prokurorëve dhe kjo mund të konfirmohej përmes transmetimit të drejtpërdrejtë, ku të gjithë qytetarët mund të shihnin se çka ndodhte në Këshillin gjyqësor. Ajo që mbetet është, organet e jurisprudencës, në nivel në të cilin nevojitet, ta kryejnë punën e tyre dhe të mos kenë kurrfarë ndikimi politik”, tha Kovaçevski.

Ai përmendi se personalisht nuk ka pasur asnjë takim me ndonjë kryetar gjykate, ndërkaq siç tha, nëse dikush iu është përzier në punë, atë do të duhet vetë ta paraqesin përmes procedurës adekuate.

“Unë personalisht nuk kam pasur asnjë takim me asnjë kryetar gjykate, as kryetar të Këshillit Gjyqësor, sepse gjykatat janë pushtet i pavarur, pushteti gjyqësor është pushtet i pavarur, pushteti ekzekutiv dhe ligjdhënës janë gjithashtu të pavarur dhe secili duhet t’i kryejë punët e veta në suaza të kompetencave të veta”, shtoi kryeministri.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva u shkarkua të mërkurën me propozim të zëvendësit Selim Ademi. Për shkarkimin saj votuan shtatë anëtarë të Këshillit. Sipas organizatave joqeveritare dhe ekspertëve, shkarkimi i Damevës është i paligjshëm dhe në kundërshtim me procedurat dhe Rregulloren. Dje u caktua mbledhje në të cilën duhej të zgjidhej kryetari i ri i Këshillit, por zëvendëskryetari Ademi e shtyu mbledhjen për më 2 maj për shkak të pranisë së të gjithë 13 anëtarëve.