Kovaçevski-Ageler: Vazhdon partneriteti i fortë strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, sot ka pasur takim me ambasadoren e SHBA-së në vend, Angela Price Ageler.

Sipas komunikatës së Qeverisë, në takim u konfirmua partneriteti strategjik shumëvjeçar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, si dhe mbështetja e fuqishme për integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ambasadorja amerikane Ageler dërgoi një mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë një partner dhe mik i sinqertë i vendit, i cili do të mbështesë proceset reformuese të vendit për të siguruar një jetë më të mirë për qytetarët.

“Në takim u diskutua edhe për hapat konkretë që po ndërmerr shteti në luftën kundër korrupsionit. Ambasadorja Ageler theksoi se ulja e korrupsionit ndikon në zhvillimin e vendit në të gjitha sferat. Sipas saj, korrupsioni vazhdon të pengojë progresin e shtetit duke ndikuar në ngadalësimin e rritjes ekonomike. Kryeministri Kovaçevski tregoi se gjyqësori dhe prokuroria duhet të funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe të raportohen rastet e praktikave korruptive”, thuhet në njoftim.(INA)