Kosovës i shtohen edhe 311 ushtarë! Mehaj: Ushtria e Adem Jasharit nuk kthehet prapa

Sot janë betuar 311 rekrutë të rinj për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, u është drejtuar ushtarëve të rinj duke u thënë se qëllim e kanë garantimin e paqes në vend dhe më gjerë.

Ai ka njoftuar se më 28 nëntor do të hapet konkursi i radhës për pranimin e mbi 600 ushtarëve të rinj.

Mehaj ka theksuar se nuk mund të ecet përpara pa nderuar të kaluarën për të cilën është derdhu gjak.

“Në venat tuaja keni ADN-në e UÇK-së, keni ADN-nën e komandantit legjendar Adem Jasharit. Ushtria e Adem Jasharit nuk kthehet prapa, është e pathyeshme dhe e pamposhtur. Jemi të qëndrueshëm dhe vizionarë si Adem Demaçi dhe trima si Adem Jashari”.

Ndërsa, anëtarësimin në NATO e quajti synim parësor.

Ndërsa Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në tokën evropiane pa hequr dorë Rusia nga Ukraina dhe pa hequr dorë Serbia nga Kosova.

“Ne nuk jemi shtet kemi pretendime territoriale, por ndjehemi të kërcënuar nga pretendimet e Serbisë mbi shtetin tonë. Paqja në botë sot po rrezikohet nga agresioni rus në Ukrainë, ne jemi rreshtuar përkrah Ukrainës dhe luftës së saj të drejtë. Nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në tokën evropiane pa hequr dorë Rusia nga Ukraina dhe pa hequr dorë Serbia nga Kosova”, ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në ceremoninë e betimit të 311 rekrutëve në FSK.

Ai ka thënë se ushtria e Kosovës po rritet brenda shtetit sovran dhe demokratik.

“Ushtria jonë po rritet, po forcohet në Kosovën tonë sovrane e demokratike. Për të lindur ky shtet u desht mund e sakrifica e përpjekje, kjo përpjekje kulmoi me luftën e UÇK-së për mbrojtjen e vendit tonë, çlirimin e atdheut dhe largimin e okupatorit serb. Shteti ynë është u barabartë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim etnie, feje apo përkatësi të tjera. Për të mbrotjur lirinë e shtetit tonë e kemi FSK-në e cila po ndërtohet sipas pricnicpeve të një ushtrie moderne. Gjithçka që arritëm e bëmë me miqtë tanë të çmuar , SHBA -në dhe shtetet tjera të botës demokratike, evropiane epërendimore. Prandaj orientimi ynë është i qartë ne duam të jemi pjesë e NATO-s”, ka thënë ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se Kosova nuk do të lëshojë pe përtej Kushtetutës dhe ligjeve të saj, duke shtuar se çdo gjë ilegale në Kosovë do të ndalohet dhe do të ketë sundim të ligjit.

“Të gjitha këto janë përpjekje të Serbisë që të rrisë presionin mbi Republikën e Kosovës ashtu që ne të thehemi përballë kërkesave të tyre por ne e dimë që të gjitha këto vijnë nga Beogradi dhe Vuçiqi. Mendoj se qeveria dhe Republika e Kosovës do të sillen në atë mënyrë që të mos pranojnë kushtëzime përmes shantazhit, përmes bllokadave dhe përmes përdorimit të forcës nga ana e Serbisë”, ka thënë Konjufca.

“E gjithë kjo është përpjekje e Serbisë për me destabilizu Kosovën dhe që në tavolinën e negociatave me imponu kushte më të mira për Serbinë, ne nuk e pranojmë këtë gjuhë si Republikë e Kosovës, kjo është gjuhë e shantazhit, e bllokadave dhe dhunës, ne mendojmë që Kosova është në të drejtën e saj, nuk mund të lëshojmë pe përtej Kushtetutës sonë, nuk mund të lëshojmë pe përtej ligjeve gjithçka që është ilegale në Kosovë do të ndalohet dhe sundimi i ligjit do të ndodh”, ka thënë ai.