Kosovë, taksa zëvendësohet me reciprocitet

Nga dita e sotme hyn në fuqi vendimi i Qeverisë në detyrë të Albin Kurtit, për heqjen e tarifës 100% ndaj Serbisë dhe zëvendësimin e së njëjtës me reciprocitet gradual ekonomik. Vendimi obligon policinë kufitare, doganat, agjencinë e ushqimit dhe veterinarisë, agjencinë për paisje dhe produkte medicinale që të kryejnë kontrolle kufitare të mallrave serbe.

Në marrëdhëniet tregtare me Serbinë emërtimet e përdorura në dokumentet si në vijim duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi. Së pari,certifikata fito-sanitare dhe dokumentacioni shoqërues për produktet ushqimore dhe joushqimore me prejardhje bimore dhe joshtazore që i nënshtrohen kontrollit fito-sanitar në kufi. Dhe së dyti, certifikata veterinare dhe dokumentacioni shoqërues për produktet ushqimore dhe joushimore me prejardhje shtazore që i nënshtrohen kontrollit veterinar në kufi”-tha Albin Kurti, kryeministër në detyrë i Kosovës.

Kurti sqaroi se zbatimi i vendimit do të vlerësohet më 15 mars. Me vendimin e Qeverisë kosovare u hoq edhe tarifa 100% ndaj Bosnje Hercegovinës, por pa vënë kushte të tjera, duke pritur në këmbim heqjen e vizave. Drejtori i Zyrës serbe për Kosovë, Marko Gjuriq ka thënë se Kurti nuk ka hequr taksën por vetëm e ka suspenduar atë. Ndërkaq SHBA-të kundërshtojnë.

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë:

“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet të heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja sepse këto politika lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngulfasin ekonominë e saj. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia. Këto masa krijojnë më shumë probleme…”

Tarifën doganore 100% e vendosi ish Kryeministri, Ramush Haradinaj në nëntor të vitit 2018, pas çka importi nga dy shtetet ra për 99%. Taksa ndikoi në ndërprerjen e dialogut për normalizim të marrëdhënieve Kosovë Serbi dhe kundër saj ishin që nga fillimi si SHBA-ja ashtu edhe BE-ja.