Kosovë, rritet në 4 numri i të vdekurve nga COVID-19

Në Kosovë janë shënuar 5 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), ku numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 170, ndër të cilët deri më tani 24 janë shëruar dhe 4 të vdekur.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), ka njoftuar se sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare janë testuar 13 mostra ndërsa 5 prej tyre kanë rezultuar pozitiv.

Sipas IKSHPK-së, rastet pozitive kanë kërkuar ndihmë në Klinikën emergjente, “një prej të cilëve ka ardhur në gjendje të rëndë shëndetësore e që pas testimit post-mortem ka rezultuar pozitiv”.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), për personin i cili ka rezultuar pozitiv me koronavirus pas vdekjes ka njoftuar se bëhet fjalë për burrë të moshës 65-vjeçare, i transferuar nga Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt.

“I njëjti për shkak të arrestit kardiak, përkundër angazhimit maksimal nga stafi mjekësor i Klinikës Emergjente, nuk ka arritur të mbijetojë”, thekson SHKUK.

Nga data 8 shkurt e këtij viti deri më sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 2.106 mostra të dyshimta me COVID-19 ndërsa 170 raste kanë rezultuar pozitiv ndër të cilët 4 kanë vdekur dhe 24 janë shëruar.

Në IKSHPK gjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, ku deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 3.304 kontakte të rasteve.