Veteranët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar në të gjitha qytetet e Kosovës për të kundërshtuar akuzat e ngritura për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli. Aktakuzat janë ngritur nga Zyra e Prokurorit Special me seli në Hagë. Kryetari i veteranëve Hysni Gucati ka thënë së akuzat e ngritura nga Gjykata Speciale në Hagë janë bërë me ndihmën e Serbisë dhe se ajo gjykatë duhet të zhbëhet sepse është e njëanshme dhe vetëm kundër UÇK-së. Kjo protestë vjen disa ditë para intervistimit të presidentit Thaçi nga Prokuroria në Hagë. Veteranët kanë protestuar në të gjitha qytetet e Kosovës.
“Ju që keni ardhur këtu duke rrezikuar edhe jetën tuaj, për të kundërshtuar një padrejtësi të madhe që po i bëhet UÇK-së, veteran, invalid, familjar të dëshmorëve. Jemi mbledhur për t’i kundërshtuar akuzat e padrejta që po i bëhen UÇK-së tash e 20 vite me radhë….Veprimi i prokurorit është i pa drejtë, kjo Gjykatë është e pa pranueshme e një anshme dhe e dyshimtë”, deklaroi Hysni Gucati, Kryetar i OVL UÇK-së.