Pas 26 vjetësh, rajoni i Pejës ka shënuar për herë të parë një vit pa asnjë vrasje.
– Advertisements –
Lajmi u bë i ditur në një konferencë për media nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, e cila prezantoi rezultatet e punës për vitin 2025.
Ajo theksoi se rajoni i Pejës ka qenë ndër më të ndjeshmit në aspektin e veprave penale të rënda, veçanërisht të vrasjeve, por se përmes një koordinimi të ngushtë institucional është arritur ky rezultat historik.
“Sot kam nderin dhe kënaqësinë të prezantoj faktin se pas 26 vjetësh nga lufta, viti 2025 evidentohet si viti i vetëm pa asnjë vrasje në rajonin e Pejës. Ky sukses është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me Policinë e Kosovës, institucionet tjera dhe qytetarët”, u shpreh ajo.
Vuçetaj e cilësoi vitin 2025 si një nga më sfiduesit, por edhe ndër më të suksesshmit për institucionin që ajo drejton, duke theksuar se siguria e qytetarëve ka qenë prioritet kryesor.
Sipas saj, për 25 vjet në rajonin e Pejës janë shënuar 203 vrasje me gjithsej 227 viktima.
“Kam pasur si prioritet sigurinë e qytetarëve, të pasurisë së tyre dhe luftimin e veprave penale. Jemi të vetëdijshëm se luftimi i këtyre veprave kërkon polici aktive, hetime të shpejta dhe gjykim të drejtë e të paanshëm”, tha Vuçetaj.
Sipas kryeprokurores, ky rezultat e rendit Pejën si rajonin më të qetë në vend.
“Viti 2025 është zero vrasje dhe zero viktima. Nga një rajon me rastet më të ndjeshme dhe komplekse, kemi arritur që Peja të cilësohet si rajoni më i qetë dhe prokuroria e vetme në sistemin prokurorial pa asnjë rast vrasjeje”, përfundoi Vuçetaj.
Në këtë konferencë, Vuçetaj ka treguar se kjo prokurori ka pasur si synim edhe luftimin e korrupsionit.
Ajo ka thënë se Prokuroria e Pejës, ka ngritur aktakuza ndaj dhjetëra zyrtarëve publikë dhe janë arrestuar zyrtarë policorë.
Në vitin 2025, sipas Kryeprokurores Vuçetaj, janë 1766 aktgjykimeve dënuese, që vijnë si rezultat i aktakuzave të bazuara, që i ka ngritur kjo prokurori.




