Kosovë, në pritje të zëvendësministrave të rinj

Xhelal Sveçla është zëvendësministri i parë i emëruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai do të shërbejë si zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ku epror i tij do të jetë Agim Veliu i LDK-së.

Mirëpo, qeveria e re e Kosovës përveç Sveçlës do të ketë në përbërjen e saj edhe 34 zëvendësministra të tjerë që do të shpërndahen në 15 ministri.

Aktualisht, Kurti ka emëruar vetëm ministrat, ndërsa për emrat e zëvendëseve të tyre ende është duke u pritur.

Gjithsesi, ajo që dihet me siguri është se do të ketë rënie të numrit të zëvendësministrave ku nga 80 sa ishin në qeverinë e kaluar, në ekzekutivin e ri do të jenë 35.

Në një konference për media që Kurti mbajti ditë më parë tha se në këtë fazë prioritet i tij nuk janë emërimi i zëvendësministrave, por projektligji për buxhetin 2020, plani i punës së qeverisë dhe programi qeverisës.

Ai tha se ka pasur vetëm një mbledhje ceremoniale të qeverisë së tij dhe se në mbledhjet e radhës do të trajtohen çështjet e tjera.